Manchester United nis sezonin me humbje, Neville: Duhet portier i madh, Donnarumma është ideal

Manchester United e ka nisur Premier League-n me këmbë të gabuar, duke u mposhtur në “Old Trafford” nga Arsenali i Mikel Artetës.
Humbja ka sjellë menjëherë kritika të shumta, ndër të cilat edhe ajo e legjendës së klubit, Gary Neville, i cili ka paralajmëruar se problemi kryesor i “Djajve të Kuq” është te porta.
Në mungesë të André Onana-s, i cili nuk ishte as në pankinë, trajneri Ruben Amorim aktivizoi Altay Bayindir si titullar. Megjithatë, paraqitja e portierit turk nuk e bindi aspak.
“Ka një problem të madh tek United dhe nuk mund të injorohet: duhet patjetër një portier i ri. Nuk kam asnjë dyshim për këtë”, deklaroi Neville për Sky Sports UK.
Ish-mbrojtësi i krahut rikujtoi rëndësinë e të pasurit një numër 1 të nivelit të lartë: “Unë kam kaluar 20 vite në këtë klub me dy cikle fituese, të garantuara nga Schmeichel dhe Van der Sar.
Ndërmjet tyre kemi ndryshuar 7-8 portierë dhe e di shumë mirë sa e rrezikshme është të mos kesh një ‘gardian’ që komandon zonën, jep siguri dhe bën diferencën kur mbrojtja gabon.”
Neville shkoi më tej duke përmendur edhe dy emra që, sipas tij, do t’i jepnin garanci United-it: “Donnarumma dhe Emiliano Martínez do të ishin zgjedhjet perfekte.
Jo vetëm sepse janë ndër më të mirët në botë, por edhe për personalitetin dhe karakterin që tregojnë.
Donnarumma e ka dëshmuar forcën e tij në finalen e Europianit me Italinë, ndërsa Martínez fitoi një Botëror dhe ka atë arrogancë tipike të portierëve të mëdhenj.”
Mesazhi i Neville ishte i qartë dhe i prerë: “Nëse United nuk arrin të marrë një portier të këtij niveli, do të vazhdojë të pësojë gola që rrezikojnë të prishin gjithë punën e skuadrës.”
Tifozët presin me ankth lëvizjet e drejtuesve në merkato, pasi dështimi në debutim e ka bërë edhe më urgjente gjetjen e një zgjidhjeje për repartin e portës.