Mexhiti: Marrëveshja e Ohrit, garancia e barazisë dhe pasurisë sonë multietnike

Zëvendëskryeministri Izet Mexhiti, në seancën solemne të Qeverisë me rastin e 24-vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit, e cilësoi këtë akt si “akti politik që i dha fund konfliktit, hapi rrugën e paqes dhe vendosi themelet e shtetit tonë modern”.
“Marrëveshja e Ohrit është garancia e barazisë, përfshirjes dhe drejtësisë për çdo qytetar, për të gjitha komunitetet, dhe për këtë arsye ne e zbatojmë dhe e respektojmë me përpikëri çdo ditë”, deklaroi Mexhiti, duke shtuar se ajo mbetet “angazhimi ynë i përditshëm për të ndërtuar një Maqedoni të Veriut ku të gjithë ndihen të barabartë dhe të përfaqësuar”.
Ai theksoi se në këtë frymë, Qeveria po “përforcon përdorimin e gjuhës shqipe, ndërton institucione multietnike që pasqyrojnë shoqërinë tonë, reformon drejtësinë dhe fuqizon demokracinë lokale”.
“Diversiteti nuk është pengesë, por është pasuria jonë më e madhe, dhe Marrëveshja e Ohrit është garancia që kjo pasuri të mbrohet, të respektohet dhe të zhvillohet për gjeneratat që vijnë”, përfundoi Mexhiti.