Në Tetovë u përleshën tetë persona, 21 vjeçari u lëndua

Policia e Maqedonisë së Veriut ka hetuar rastin ku tetë persona u përfshinë në një përleshje, njëri prej të cilëve edhe u lëndua. Të dyshuarit u mbajtën edhe në stacionin policor për zbardhjen e rastit, transmeton Portalb.mk.
“Në rrugën “Iliria” në Tetovë, zyrtarët policorë nga SPB Tetovë kanë privuar nga liria personat O.S. (20) dhe B.S. (24) nga f. Pallaticë e Tetovës, A.U. (21), J.U. (24) nga f. Debresh i Gostivarit, A.S. (25) nga f. Vërtok i Gostivarit, dhe K.O. (23), D.I. (25) dhe D.E. (21) nga f. Sellcë, sepse kanë prishë rendin dhe paqen publike me përleshje fizike mes vete”, raportoi Policia e Maqedonisë së Veriut për përleshjen që ndodhi mbrëmë.
Në këtë përleshje u lëndua 21 vjeçari D.E. nga Sella.
Në opinion pati aludime se përleshja ka ndodhur në koncertin e organizuar nga Komuna, por një gjë e tillë është demantuar.
“Komuna e Tetovës demanton lajmin se në koncertin e organizuar nga Komuna e Tetovës ka pasur përleshje me thika. Ky lajm është i PAVËRTETË”, reaguan nga Komuna e Tetovës, duke shtuar se në mbrëmje nuk ka pasur asnjë përleshje dhe asnjë incident.