“As ndërtim, as beton” zv/ministri i Kulturës Sulejmani akuzon opozitën për manipulim rreth Kalasë së Shkupit

Në lidhje me nismën e Ministrisë së Kulturës për invetsime në Kalan e Shkupit për të cilën pati reagime nga partitë opozitare, ka reaguar zv/ministri i Kulturës, Sedat Sulejmani, i cili thotë se e gjithë zhurma që po ngrihet rreth Kalasë së Shkupit, është sa absurde po aq edhe e dyshimtë.
Sipas tij, nuk ka as projekt të ri, as ndërtim, as beton. Bëhet fjalë vetëm për pastrim dhe mirëmbajtje teknike, meremetim bazik për të ruajtur atë që tashmë ekziston. Asgjë më shumë.
Ja dhe postimi i tij i plotë:
Krejt zhurma që po ngrihet rreth Kalasë së Shkupit është sa absurde, aq edhe e dyshimtë. Nuk ka as projekt të ri, as ndërtim, as beton. Bëhet fjalë vetëm për pastrim dhe mirëmbajtje teknike, meremetim bazik për të ruajtur atë që tashmë ekziston. Asgjë më shumë.
Por kur edhe pastrimi paraqitet si “komplot”, kupton që dikën e ka marrë malli për vëmendje.
Partia që ka ngritur fabrikë për Fake News dhe që çdo ditë prodhon panik e shpifje për të shpëtuar nga harresa, këtë herë paska “zbuluar” një komplot imagjinar “Kalanë e Shkupit”.
Shumë shqetësuese… sidomos kur shqetësohen ata që për 20 vjet e lanë Kalanë të mbyllur me dryn, e lanë në baltë dhe e kujtuan vetëm kur kishin nevojë për ta përdorur si trampolinë për karrierë.
Pikërisht Artan Grubi ishte i pari që e ktheu Kalanë në teatër për “patriotizëm”, e përdori për t’u shpallur bedel i Aliut, dhe sigurisht për t’i ngjitur vetes një gradë “patriotike”. Sakrifikoi të rinj, brodhi me retorikë, dhe për shpërblim… përfundoi duke e ndihmuar Sasho Mijallkovin të dalë nga burgu dhe të shetisë me Ferrari në Monte Karlo. Ah po, dhe të shpallet me vulë amerikane në listë të zezë. Për çfarë? Për patriotizëm? Jo more jo… për ryshfet!
Po, kjo është opozita që sot “qan” për Kalanë.
Prandaj, lëreni Kalanë rehat. Se nuk jeni ju ata që do ta mbroni. Jemi ne këtu!