New York Times: Një gënjeshtër izraelite mbi Hamasin…

Izraeli nuk ka prova konkrete se Hamasi po vjedh sistematikisht ndihmën humanitare të ofruar nga Kombet e Bashkuara – edhe pse ky pretendim po përdoret si një justifikim kyç për themelimin e Fondacionit Humanitar të Gazës (GHF), raporton The New York Times.
Gazeta citon deklarata nga dy zyrtarë të lartë ushtarakë izraelitë dhe dy izraelitë të tjerë të përfshirë në këtë rast. Të gjithë folën në kushte anonimiteti. Sipas tyre, sistemi i shpërndarjes së ndihmës së OKB-së në Gaza ishte “më i besueshëm dhe efikas”, ndërsa rastet e mundshme të vjedhjes lidhen kryesisht me organizata më të vogla lokale – jo me OKB-në.
Pesha shtesë ndaj këtyre pretendimeve është një raport i Reuters i publikuar të premten e kaluar. Duke cituar një analizë të brendshme të qeverisë amerikane, Reuters shkruan se SHBA-të gjithashtu nuk kanë gjetur prova për vjedhje masive të ndihmës nga Hamasi.
Analiza u krye nga Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) dhe përfundoi në fund të qershorit. Hetimi shqyrtoi 156 raste të vjedhjes ose humbjes së raportuar të furnizimeve të financuara nga SHBA-të midis tetorit 2023 dhe majit të këtij viti. Në asnjë nga rastet nuk u përcaktua që Hamasi përfitoi drejtpërdrejt nga ndihma, sipas përfundimeve të analizës, të cilat Reuters i ka parë.
Pavarësisht kësaj, autoritetet izraelite vazhdojnë të përdorin këto pretendime të paverifikuara si justifikim për pengimin dhe bllokimin e shpërndarjes së ndihmës për popullsinë civile të Gazës – një territor ku uria është e përhapur dhe fëmijët po vdesin nga kequshqyerja.
Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara kanë krijuar Fondacionin kontrovers GHF, vendndodhjet e të cilit janë bërë skenë gjakderdhjeje me rreth një mijë palestinezë janë vrarë në këto pika shpërndarjeje. Disa mercenarë që ishin të përfshirë në sigurimin e këtyre vendndodhjeve i kanë thënë medias se kanë qenë dëshmitarë ose pjesë e sulmeve të qëllimshme ndaj njerëzve që vinin për të marrë ndihmë. /tesheshi.com/