Lazzarini: Hedhja nga ajri e ndihmave është e rrezikshme dhe mund të vrasë palestinezë të uritur

Philippe Lazzarini ka deklaruar se hedhjet nga ajri të ndihmave të propozuara do të ishin një shpërqendrim i kushtueshëm dhe joefikas, që madje mund të vrasë palestinezët e uritur.
Izraeli njoftoi të premten se do të lejojë hedhjen nga ajri të ushqimeve dhe ndihmave nga vende të huaja në Rripin e Gazës gjatë ditëve në vijim, si përgjigje ndaj mungesave kritike të ushqimit të shkaktuara nga bllokada e tij.
Por në një postim në rrjetet sociale, Lazzarini tha se hedhjet nga ajri “nuk do ta ndalin urinë që po thellohet” dhe kërkoi në vend të kësaj që Izraeli “ta heqë rrethimin, të hapë portat dhe të garantojë lëvizje të sigurta dhe qasje me dinjitet për njerëzit në nevojë”.
Hedhjet nga ajri, sipas tij, janë “të kushtueshme, joefikase dhe madje mund të vrasin civilë të uritur”. “Uria e shkaktuar nga njeriu mund të ndalet vetëm përmes vullnetit politik”, shtoi ai, duke kërkuar nga Izraeli të lejojë OKB-në dhe partnerët e saj të veprojnë në shkallë të gjerë në Gaza “pa pengesa burokratike apo politike”.
Ai tha se UNRWA ka ekuivalentin e 6.000 kamionëve në Jordani dhe Egjipt “në pritje të dritës së gjelbër për të hyrë në Gaza”. “Dërgimi i ndihmës përmes rrugës është shumë më i lehtë, më efektiv, më i shpejtë, më i lirë dhe më i sigurt” sesa hedhjet nga ajri, theksoi ai, duke shtuar se është gjithashtu më dinjitoz për popullin e Gazës.