Pas sulmit ndaj kishës, Macron thotë se lufta e Izraelit në Gaza është e pajustifikueshme

Presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi se lufta e Izraelit në Gaza është “e pajustifikueshme” dhe ai “e dënon fuqishëm” sulmin ajror izraelit ndaj një kishe në Gaza, sipas një postimi të tij në platformën X të enjten.
“Mendimet tona janë me viktimat, familjet e tyre dhe të gjithë të krishterët që, ashtu si gjithë civilët palestinezë në Gaza dhe pengjet, po përjetojnë një ferr,” tha ai.
Macron shtoi se i kishte thënë Kardinalit Pierbattista Pizzaballa, Patriarku Latin i Jerusalemit, se Franca është në “solidaritet me të gjithë të krishterët në Palestinë, të cilët, nga Gaza deri në Taybeh, janë tani nën kërcënim.”
“Çdo ditë, dhjetëra civilë palestinezë po vriten në Gaza: vazhdimi i kësaj lufte është i pajustifikueshëm,” tha më tej ai.
“Është e pajustifikueshme dhe e turpshme që ndihma humanitare nuk po shpërndahet në shkallë masive, në shkelje të të gjitha parimeve ndërkombëtare të veprimit humanitar.”
Ai gjithashtu bëri thirrje për një armëpushim të menjëhershëm, dhe për lirimin e civilëve dhe pengjeve nga kërcënimi i një lufte të përhershme.
Më herët të enjten, ministri i Jashtëm Jean-Noël Barrot e përshkroi bombardimin e Kishës Katolike të Familjes së Shenjtë në Gaza si “të papranueshëm.”
Kjo kishë – ashtu si të gjitha komunitetet fetare katolike në Izrael, Bregun Perëndimor dhe Gaza – është nën mbrojtjen historike të Francës, bazuar në një marrëveshje mes Perandorisë Osmane dhe Francës që daton nga fillimi i shekullit XX.
Në këtë sulm u vranë tre persona dhe dhjetë të tjerë u plagosën.