Ibrahimi: Sot ishte një ditë me vlerë të veçantë për Medresenë “Isa Beu” dhe për të gjithë ne

Kryetari i Alternativës dhe njëherësh një nga liderët e koalicionit VLEN, Zeqirija Ibrahimi, ka bërë të ditur lajmin e miratimit të projektligjit për Medresenë “Isa Beu”, një institucion me rëndësi të madhe historike, arsimore dhe shpirtërore për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.

Në një vizitë të përbashkët me liderët e tjerë të VLEN-it, z. Izet Mexhiti dhe z. Bilall Kasami, si dhe zëvendësministrin e Arsimit dhe Shkencës, Lulzim Aliu, Ibrahimi qëndroi pranë drejtuesve të Bashkësisë Fetare Islame dhe të Medresesë në Shkup, për të ndarë lajmin e mirëpritur.

Ata u pritën ngrohtësisht nga Kryetari i BFI-së, H. Hfz. Shaqir ef. Fetahu, Drejtori i Medresesë, Dr. Islam Islami dhe Myftiu i Shkupit, Dr. Qenan ef. Ismaili, në një atmosferë vëllazërore e plot mirënjohje.

“Sot nuk ishte thjesht një vizitë, por një çast i shënuar historik,” theksoi Ibrahimi në deklaratën e tij. “Pas më shumë se 30 vitesh, plagës së padrejtësisë ndaj Medresesë ‘Isa Beu’ i vihet një fund. Sot u bë drejtësi për këtë institucion të shenjtë të dijes, për nxënësit e tij, për familjet e tyre dhe për të ardhmen e kësaj shkolle që ka ndriçuar breza të tërë.”

Ky zhvillim vjen pas dekadash përpjekjesh për njohjen dhe barazimin e Medresesë me shkollat e tjera të mesme në vend, duke i hapur rrugë një trajtimi të barabartë institucional dhe ligjor.

Miratimi i projektligjit konsiderohet një fitore jo vetëm për komunitetin mysliman, por për gjithë shoqërinë që aspiron drejtësi, barazi dhe dinjitet në trajtimin e institucioneve të veta tradicionale dhe arsimore.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button