15 projekte të përfunduara për çerdhet, Limani: I rritëm pensionet për 5 mijë denarë

Ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë Fatmir Limani njoftoi për punën e bërë gjatë vitit të kaluar në Qeveri. Mes tjerash, theksoi rritjen e pensioneve për 5 mijë denarë. Ndërsa sa u përket projekteve për ndërtimin dhe pajisjen e çerdheve, deklaroi se kanë përfunduar mbi 15 projekte. Limani tha se në kuadër të thirrjeve publike nga Qeveria në ndërtimin dhe rikonstruimin e kopshteve nën juridiksionin e ministrisë u financuan 4 projekte në vitin 2024, ndërsa këtë vit janë shqyrtuar 11 projekte nga të cilat 6 i kanë plotësuar dokumentacionin e plotë.
“Vizionin tonë për një shoqëri të drejtuar inkluzive e kemi realizuar përmes masave konkrete. Të gjithë jeni të informuar se e filluam duke rritur pensionet mbi 330 mijë pensionist morën pensione më të larta në masë prej 5 mijë denarë. Ministria u bë edhe institucioni i parë publik me një faqe interneti plotësisht të aksesueshme për personat me aftësi të kufizuar, në përputhje gjithnjë me standardet europiane”, tha Fatmir Limani, Ministër i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë.