Dimitrieska Koçoska: Ende nuk ka oferta për hekurudhën e shpejtë të Korridorit 10

“Deri në këtë moment nuk ka mbërritur asnjë ofertë për ndërtimin e hekurudhës së shpejtë përgjatë Korridorit 10”, kështu deklaroi ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska e cila shtoi se projekti është kompleks dhe bankat kanë nevojë për kohë shtesë për të analizuar dhe sqaruar të gjitha detajet. Gjithashtu bëri të ditur se afati për dorëzimin e ofertave është shtyrë deri më 7 korrik.
“Interesimi është i madh. Kemi dërguar kërkesë për oferta deri te 22 institucione financiare, dhe përveç tyre edhe dy banka të tjera shprehën interes në mënyrë të pavarur, ndaj edhe atyre u dërguam kërkesë. Qëllimi është të sigurojmë kushte sa më të mira dhe një kosto sa më të ulët për realizimin e projektit. Për shkak se ka shumë pyetje, afati është shtyrë për t’u dhënë kohë bankave që të marrin sqarimet e nevojshme”, tha Gordana Dimitrievska Koçoska.