SHBA dhe Kina nënshkruajnë një marrëveshje tregtare

Sipas informacioneve të të dyja palëve, Kina dhe SHBA kanë rënë dakord të heqin disa kufizime tregtare. Ministri i Tregtisë i SHBA, Howard Lutnick, konfirmoi në një intervistë me agjencinë financiare të lajmeve Bloomberg se marrëveshja me Kinën ishte nënshkruar. Sipas tij, Kina do të furnizojë SHBA me metale të rralla dhe SHBA do t’u japë fund kundërmasave të saj.
Sipas Ministrisë së Tregtisë në Pekin, Kina do të shqyrtojë aplikimet për eksport për “produkte të kontrolluara” dhe do të miratojë ato që përputhen me rregulloret. Në këmbim, SHBA thuhet se do të heqë një sërë “masash kufizuese” kundër Kinës.
Trumpi nuk përmend detaje
Pak para konfirmimit të Lutnick-ut, Presidenti i SHBA, Donald Trump, kishte pohuar se ishte nënshkruar një marrëveshje me Kinën, por la shumë pyetje pa përgjigje. “Vetëm dje nënshkruam me Kinën,” deklaroi republikani në një aktivitet në Shtëpinë e Bardhë. Ai nuk ofroi detaje të mëtejshme. Vërejtja erdhi kur Trumpi foli për “marrëveshje” me vende të tjera. Ai gjithashtu la të kuptojë se “ndoshta” mund të ketë një “marrëveshje të madhe” me Indinë.
Konflikti i zgjatur tregtar midis dy ekonomive më të mëdha në botë, Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, po e mban ekonominë globale në ankth. Ndërkohë, Trumpi kishte rritur tarifat ndëshkuese doganore për importet kineze në SHBA në disa faza deri në 145%. Pekini, nga ana e tij, ishte përgjigjur me tarifa prej 125% dhe kishte futur kontrolle eksporti mbi metalet e rralla të rëndësishme industriale dhe magnetet e bëra prej tyre. Kina ka thuajse një monopol mbi këto lëndë të para.
SHBA, nga ana tjetër, vendosën kufizime eksporti për teknologji të rëndësishme, siç janë softuerët e gjysëmpërçuesve të kompjuterave dhe komponentët e aviacionit, për të cilat Kina vazhdon të mbështetet te prodhuesit e huaj.
Metalet e rralla kundrejt produkteve të teknologjisë së lartë
Për shkak të kufizimeve të eksportit të Kinës mbi metalet e rralla, industria jashtë Republikës Popullore u vu kohët e fundit nën presion të fortë. Masat e Pekinit i prekën të gjitha vendet, jo vetëm SHBA. Edhe në Gjermani, kompanitë në sektorët e automobilave dhe inxhinierisë mekanike, për shembull, janë të shqetësuara për furnizimin me metale të rëndësishme, që përdoren ndër të tjera, te sensorët dhe motorët elektrikë.
Kina i justifikoi kontrollet duke pretenduar se lëndët e para janë mallra për përdorim civil, por edhe për përdorim ushtarak. Kompanitë u ankuan se Ministrisë Kineze të Tregtisë i duhej shumë kohë për të përpunuar aplikimet, pa asnjë garanci se ato do të miratoheshin. Shqetësimet u rritën se mund të pasonte ndërprerja e prodhimit.
Ministria e Tregtisë e Kinës ka theksuar vazhdimisht se kishte miratuar tashmë aplikime, për shembull, për kompanitë e BE, dhe se donte ta përshpejtonte procesin. /DW/