Andonovski: Po i vjen fundi dokumenteve në letër, patentë shoferi dhe letërnjoftimi në telefonin mobil

Në Samitin për Digjitalizimin e Ballkanit Perëndimor, i cili do të mbahet më 1 dhe 2 tetor në Shkup, do të prezantohet zyrtarisht aplikacioni kombëtar për letërnjoftimin dhe patentën e shoferit digjital. Që nga ajo ditë, qytetarët do të mund ta shkarkojnë versionin testues të këtyre dokumenteve dhe t’i përdorin për shërbimet elektronike të ardhshme.
“Letërnjoftimi dhe patenta e shoferit elektronike, së bashku me të gjitha shërbimet shoqëruese, do të funksionojnë si një portofol elektronik, një alternativë ndaj dokumenteve fizike. Greqia është një shembull i mirë, por ne jemi përpara shumë vendeve të tjera të Ballkanit”, deklaroi ministri për transformim digjital, Stefan Andonovski.
Ai konfirmoi se miratimi i sotëm në Kuvend i paketës së ligjeve për digjitalizimin nënkupton vendosjen e një kornize ligjore sipas standardeve evropiane, të harmonizuar me praktikat e BE-së.
Sipas Andonovskit, portali kombëtar uslugi.gov.mk tashmë numëron mbi 6.300 përdorues aktivë. Ndër institucionet që i përdorin në mënyrë aktive këto shërbime është edhe gjyqësori, ku tashmë pranohet vërtetimi elektronik për mosdënim penal.
“Së shpejti do ta çaktivizojmë sistemin e vjetër për certifikatat e lindjes. Do të mbetet vetëm procedura përmes uslugi.gov.mk. Do të vendosim edhe një “kutizë elektronike”, qytetarët do të marrin njoftime direkt aty”, tha ministri.
Andonovski paralajmëroi gjithashtu një regjistrim digjital në vitin 2026, duke theksuar se Qeveria tashmë ka formuar një grup pune për përgatitjet teknike. Qëllimi është, siç tha ai, të rikthehet besimi i qytetarëve, veçanërisht pas kritikave të Gjykatës Kushtetuese për regjistrimin e vitit 2021.
Kuvendi miratoi katër ligje kyçe për transformimin digjital: për komunikime elektronike, për sigurinë kibernetike, për dokumente dhe shërbime elektronike, dhe për veprimtarinë arkivore, me çka hapet një kapitull i ri në modernizimin e administratës publike.