Ministri izraelit: Donim ta vrisnin Khamenein, por nuk arritëm të zbulojmë vendndodhjen e tij

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz tha se ata donin të vrisnin udhëheqësin iranian Ali Khamenei në sulmet 12-ditore ndaj Iranit, por nuk mundën ta gjenin vendndodhjen e tij, transmeton Anadolu.
Duke folur për kanalin televiziv shtetëror izraelit KAN, Katz në lidhje me Khamenein tha: “Nëse ai do të ishte në fushën tonë të shikimit, do ta eliminonim”.
Ai argumentoi se ushtria izraelite u përpoq shumë për të gjetur Khamenein, por nuk u shfaq “mundësia operacionale”. “Khamenei e kuptoi këtë, shkoi shumë thellë në fshehtësi, ndërpreu kontaktin me komandantët, kështu që në fund nuk ishte realiste”, tha Katz.
“Nuk do ta këshilloja të rrinte i qetë. Ai duhet të marrë një mësim nga i ndjeri Nasrallah, i cili qëndroi në thellësitë e bunkerit për një kohë të gjatë. Do ta këshilloja të bënte të njëjtën gjë”, theksoi ministri izraelit.
Gjatë sulmeve të Izraelit ndaj Iranit, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe ministri i Mbrojtjes, Israel Katz kërcënuan se do ta vrisnin Khamenein.
– Konflikti filloi me sulmet e dhunshme të Izraelit ndaj Iranit
Më 13 qershor, Izraeli nisi sulme në shkallë të gjerë duke synuar objektet bërthamore në qytete të ndryshme në Iran, si dhe komandën e lartë ushtarake.
Në Iran, shefi i Shtabit të Përgjithshëm, komandanti i Përgjithshëm i Korpusit të Gardës Revolucionare, disa komandantë të lartë dhe 9 shkencëtarë bërthamorë u vranë në sulmet izraelite.
Në deklaratën e saj të fundit, Ministria iraniane e Shëndetësisë raportoi se numri i përgjithshëm i viktimave civile në sulmet e Izraelit ishte 606 dhe numri i të plagosurve 5.332.
Zyra e kryeministrit izraelit raportoi se 28 persona u vranë dhe 1.272 u plagosën në hakmarrjet e kryera nga ushtria iraniane.
SHBA-ja, e cila mbështeti hapur Izraelin, kreu sulme ndaj tre centraleve bërthamore të Iranit në Natanz, Fordo dhe Isfahan më 22 qershor.
Në përgjigje të sulmit amerikan, Irani sulmoi bazën ajrore amerikane “Al-Udeid” në Katar më 23 qershor.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump njoftoi një armëpushim midis Iranit dhe Izraelit më 24 qershor.