12 postime nga ‘lufta 12-ditore’: Si e dokumentoi Trump konfliktin Izrael-Iran në rrjete sociale

Pas 12 ditësh bombardimesh intensive mes Iranit dhe Izraelit, presidenti amerikan Donald Trump njoftoi të hënën se rivalët kishin arritur një armëpushim.
Armëpushimi erdhi pasi SHBA goditi të shtunën tre objekte kyçe bërthamore iraniane. Si kundërpërgjigje, Teherani lëshoi një sulm me raketa mbi bazën ajrore Al Udeid në Katar – baza më e madhe ushtarake e Shteteve të Bashkuara në Lindjen e Mesme – pa raportuar të lënduar.
Ndërsa Irani dhe Izraeli shkëmbenin raketa, Trump ishte tepër aktiv në rrjetet sociale, veçanërisht në Truth Social, platformën që ai zotëron.
Më poshtë janë 12 postime të shkruara nga Trump që dokumentojnë konfliktin Iran-Izrael që ai e quan “lufta 12-ditore”.
13 Qershor 2025, ora 17:04
Dy muaj më parë i dhashë Iranit një ultimatum 60-ditor për të “arritur një marrëveshje.” Duhej ta kishin bërë! Sot është dita e 61-të. U thashë çfarë të bënin, por thjesht nuk arritën dot. Tani ndoshta e kanë një shans të dytë!
15 Qershor 2025, ora 10:02
SHBA nuk kishte asnjë lidhje me sulmin ndaj Iranit sonte. Nëse sulmohemi në çfarëdo forme apo mënyre nga Irani, fuqia dhe forca e plotë e Forcave të Armatosura të SHBA-së do të bjerë mbi ju në nivele që nuk janë parë kurrë më parë. Megjithatë, mund të arrijmë lehtësisht një marrëveshje mes Iranit dhe Izraelit dhe ta përfundojmë këtë konflikt të përgjakshëm!!!
17 Qershor 2025, ora 04:00
Irani duhej ta kishte nënshkruar “marrëveshjen” që u thashë ta nënshkruanin. Çfarë turpi dhe çfarë humbjeje jetësh njerëzore. Thënë thjesht: IRANI NUK MUND TË KETË NJË ARMË BËRTHAMORE. E kam thënë vazhdimisht! Të gjithë duhet të evakuojnë menjëherë Teheranin!
17 Qershor 2025, ora 10:45
Presidenti i Francës që kërkon publicitet, Emmanuel Macron, gabimisht tha se unë lashë Samitin e G7 në Kanada për t’u kthyer në Uashington për të punuar për një “armëpushim” mes Izraelit dhe Iranit. Gabim! Ai nuk ka asnjë ide pse jam tani në rrugë për në Washington, por sigurisht që nuk ka të bëjë me ndonjë Armëpushim. Është shumë më e madhe se kaq. Qoftë me qëllim apo jo, Emmanuel gjithmonë e gabon. Qëndroni në pritje!
17 Qershor 2025, ora 21:25
Tani kemi kontroll të plotë dhe total të hapësirës ajrore mbi Iranin. Irani kishte sisteme të mira gjurmimi ajror dhe pajisje mbrojtëse, dhe shumë prej tyre, por ato nuk krahasohen me “arsenalin” e ndërtuar, ideuar dhe prodhuar në Amerikë. Askush nuk e bën më mirë se SHBA-ja e vjetër dhe e mirë.
17 Qershor 2025, ora 21:49
E dimë saktësisht se ku është fshehur i ashtuquajturi “Udhëheqës Suprem”. Ai është një objektiv i lehtë, por është i sigurt aty – nuk do ta eliminojmë (vrasim!), të paktën jo për tani. Por nuk duam që raketa të lëshohen mbi civilë apo ushtarë amerikanë. Durimi ynë po soset. Faleminderit për vëmendjen ndaj kësaj çështjeje!
22 Qershor 2025, ora 05:20
E kemi përfunduar me sukses të madh sulmin tonë ndaj tre objekteve bërthamore në Iran, përfshirë Fordow, Natanz dhe Esfahan. Të gjitha avionët tani janë jashtë hapësirës ajrore iraniane. Një ngarkesë e plotë me BOMBA u hodh mbi objektivin kryesor, Fordow. Të gjithë avionët janë në rrugën e kthimit të sigurt. Urime luftëtarëve tanë të mëdhenj amerikanë. Nuk ka ushtri tjetër në botë që mund ta bënte këtë. TANI ËSHTË KOHA PËR PAQE! Faleminderit për vëmendjen ndaj kësaj çështjeje.
22 Qershor 2025, ora 08:05
Çdo sulm hakmarrës nga Irani ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të përballet me një forcë shumë më të madhe se ajo që u pa sonte. Falenderime! Donald j. Trump, President i Shteteve të Bashkuara.
23 Qershor 2025, ora 02:15
Dëmet në objektet bërthamore në Iran thuhet se janë “monumentale”. Goditjet ishin të forta dhe të sakta. Ushtria jonë tregoi aftësi të shkëlqyera. Faleminderit!
23 Qershor 2025, ora 02:25
Nuk është politikisht e pranueshme të përdoret termi “Ndryshim Regjimi”, por nëse regjimi aktual iranian nuk është në gjendje ta BËJË IRANIN TË MADH SËRISH, pse të mos ndodhë një ndryshim regjimi??? MIGA!!!
24 Qershor 2025, ora 01:22
Irani ka reaguar zyrtarisht ndaj SHKATËRRIMIT të objekteve të tij bërthamore me një përgjigje shumë të dobët, siç e prisnim, dhe të cilën e kemi kundërshtuar shumë efektivisht. Janë lëshuar 14 raketa – 13 janë rrëzuar, dhe 1 është “lënë e lirë”, pasi po shkonte në një drejtim jo kërcënues. Kam kënaqësinë të raportoj se ASNJË amerikan nuk është lënduar dhe pothuajse nuk është shkaktuar asnjë dëmtim. Më e rëndësishmja, ata e kanë “shkarkuar” gjithçka nga sistemi i tyre, dhe shpresojmë që nuk do të ketë më URREJTJE. Dua ta falënderoj Iranin për njoftimin paraprak, i cili bëri të mundur që të mos ketë humbje jete apo të lënduar. Ndoshta tani Irani mund të ecë drejt Paqes dhe Harmonisë në Rajon, dhe unë do ta inkurajoj me gjithë zemër Izraelin që të bëjë të njëjtën gjë. Faleminderit për vëmendjen ndaj kësaj çështjeje!
DONALD J. TRUMP, PRESIDENT I SHTETEVE TË BASHKUARA TË AMERIKËS
24 Qershor 2025, ora 03:32
URIME TË GJITHËVE! Është rënë plotësisht dakord mes Izraelit dhe Iranit që të ketë një ARMËPUSHIM TË PLOTË DHE TË GJITHANSHËM (përafërsisht pas 6 orësh nga tani, kur Izraeli dhe Irani të kenë përfunduar dhe mbyllur misionet e tyre të fundit në zhvillim!), për 12 orë, pas së cilës Lufta do të konsiderohet E MBARUAR! Zyrtarisht, Irani do të nisë ARMËPUSHIMIN dhe, pas Orës së 12-të, Izraeli do të nisë ARMËPUSHIMIN dhe, pas Orës së 24-t, një PËRFUNDIM ZYRTAR i LUFTËS 12-DITORE do të përshëndetet nga Bota. Gjatë çdo ARMËPUSHIMI, pala tjetër do të qëndrojë në PAQE dhe RESPEKT. Me supozimin se gjithçka do të funksionojë siç duhet, dhe ashtu do të ndodhë, dëshiroj të uroj të dy vendet, Izraelin dhe Iranin, për qëndrueshmërinë, guximin dhe inteligjencën për të përfunduar atë që duhet të quhet “LUFTA 12-DITORE.” Kjo ishte një luftë që mund të kishte zgjatur për vite me radhë dhe të shkatërronte gjithë Lindjen e Mesme, por nuk ndodhi, dhe nuk do të ndodhë kurrë!
Zoti e bekoftë Izraelin, Zoti e bekoftë Iranin, Zoti e bekoftë Lindjen e Mesme, Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe ZOTI E BEKOFTË BOTËN!
DONALD J. TRUMP, PRESIDENT I SHTETEVE TË BASHKUARA TË AMERIKËS