Fronti… në histori, TDP “me një këmbë” në Qeveri

Zëvendëskryeministri Izet Mexhiti zhvilloi sot një takim me kryetarin e sapozgjedhur të Partisë Demokratike Turke (TDP), Zülfikar Zeynula, në një atmosferë që ai e cilësoi si “bashkëpunuese dhe konstruktive”.
“Ky takim kishte për qëllim njohjen e ndërsjellë dhe shkëmbimin e mendimeve mbi zhvillimet politike aktuale në vend,” shkroi Mexhiti në një status në rrjetet sociale.
Ai bëri të ditur se gjatë bisedës u trajtuan një sërë çështjesh me rëndësi, përfshirë edhe pozitën e komunitetit turk në shtet.

“Ky komunitet meriton përfaqësim të denjë dhe përkujdesje të vazhdueshme nga institucionet, në përputhje me vlerat e një shteti demokratik dhe multietnik,” theksoi zëvendëskryeministri.
Sipas tij, bashkëbiseduesit ndanë bindjen se “ruajtja e identitetit, gjuhës dhe kulturës është një përgjegjësi e përbashkët”.
Gjatë takimit u fol edhe për mundësitë e bashkëpunimit të ardhshëm mes dy forcave politike, përfshirë pjesëmarrjen e TDP-së në koalicionin qeverisës si dhe përgatitjet për zgjedhjet lokale.
“Sigurisht që komunikimi të vazhdojë në mënyrë të rregullt dhe në nivel udhëheqësie, me bindjen se dialogu i hapur dhe bashkëpunimi janë thelbësorë për të ardhmen politike të vendit,” përfundoi Mexhiti.



