Sot lëshohet në përdorim rruga magjistrale Ohër – Shën Naum

Sot u inaugurua zyrtarisht rruga magjistrale Ohër – Shën Naum, një projekt kyç me rëndësi të madhe për zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë në rajon. Rruga, me një gjatësi prej 24,3 kilometrash, është rikonstruktuar me një investim prej 11,7 milionë euro.
Pas gati katër dekadash, qytetarët e Ohrit, por edhe vizitorë nga e gjithë Maqedonia dhe turistë të huaj, do të mund të udhëtojnë më shpejt dhe më sigurt drejt kompleksit të njohur manastiror të Shën Naumit, si dhe drejt kufirit me Republikën e Shqipërisë.
Kjo arterie e re rrugore pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e qasjes në zonat turistike, si dhe në përforcimin e bashkëpunimit ndërkufitar dhe rritjen e lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave.
Nga Qeveria theksojnë se ky është vetëm një nga projektet kapitale që kontribuon jo vetëm në zhvillimin e infrastrukturës, por edhe në përparimin e përgjithshëm ekonomik të vendit.
“Si Qeveri, premtuam se do ta transformojmë Maqedoninë përpara. Këtë edhe po e bëjmë. Shteti është në rrugën e ndryshimeve”, thuhet në deklaratën zyrtare.
Ky projekt shënon një hap konkret drejt ndërtimit të një infrastrukture moderne që përkrah turizmin dhe lidh më mirë Maqedoninë me fqinjët dhe rajonin.