Zgjedhje të trefishta në maj?!

Një iniciativë për ndryshimin e Ligjit për Vetëqeverisje Lokale dhe mbledhjen e nënshkrimeve për referendum për tërheqjen e kryetarëve të komunave është njoftuar nga Partia Liberal Demokratike nën udhëheqjen e kryetares, Monika Zajkova dhe organizata e sapothemeluar e qytetit nën PLD në Shkup, e udhëhequr nga Filip Jakimovski.
“Ajo që po ndodh në kryeqytetin Shkup është një shenjë e qartë se duhet të ekzistojë një mekanizëm për tërheqjen e kryetarëve të komunave. Qytetarët nuk duhet të vuajnë për shkak të paaftësisë së pushtetit lokal”, thotë PLD.
Për tu jetësuar ideja e referendumit, duhet të mblidhen të paktën 46 mijë nënshkrime, që përbëjnë 10 përqind të popullatës së Shkupit për çka do të ketë aksion gjatë ditëve në vazhdim.
Partia thekson se kjo nismë ka për qëllim plotësimin e nevojave të qytetarëve dhe përmirësimin e jetës në kryeqytet.
“Unë e shoh situatën aktuale në kryeqytetin tonë me zhgënjim dhe shqetësim të thellë. Më kujtohet një Shkup më i bukur, një qytet i dritës, kulturës dhe gjelbërimit, dhe jo një qytet që tani është i mbështjellë në errësirë dhe i mbytur në mbeturina. Duket se autoritetet aktuale vendore janë larguar nga nevojat dhe dëshirat elementare të qytetarëve të tyre. Në një kohë, Ligji për Vetëqeverisjen Lokale i vitit 1996 u la një mundësi ligjore qytetarëve që të marrin pjesë aktive në vendimet që ndikojnë në jetën e tyre, duke përfshirë mekanizmin për tërheqjen e kryetarëve të komunave. Fatkeqësisht, kjo dispozitë vendimtare në Ligjin për Vetëqeverisje Lokale nga viti 2002 është fshirë dhe prej atëherë e deri më sot qytetarëve u është hequr mundësia ligjore për të filluar procedurën për tërheqjen e kryetarëve të komunave”, thotë Zajkova.
PLD fton të gjithë qytetarët e interesuar që t’i bashkohen kësaj iniciative, të punojnë së bashku për të krijuar një sistem të hapur dhe të përgjegjshëm të vetëqeverisjes lokale në Shkup dhe në mbarë vendin.
Nëse realizohet një ide e tillë, ka gjasa që në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të muaj maj, qytetarët e kryeqendrës së Maqedonisë së Veriut të votojnë edhe në një referendum për shkarkimin e mundshëm të Danella Arsovskës.



