Marta Kos: Rrugëtimi i Kosovës drejt BE-së varet nga dialogu me Serbinë, jo nga veprimet e njëanshme

Komisionarja e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos, ka deklaruar të martën se rruga evropiane e Kosovës varet nga normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë dhe jo “përmes veprimeve të njëanshme”.

Gjatë një debati të zhvilluar në Komisionin për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian, Kos u shpreh gjithashtu, se Komisioni është i gatshëm të përgatisë mendimin për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE, sapo të marrë një kërkesë të tillë nga Këshilli.

Kosova aplikoi për anëtarësim në Bashkimin Evropian më 15 dhjetor të vitit 2022, por kërkesa e saj nuk është shqyrtuar ende, dhe si rrjedhojë ajo është vendi i vetëm në Ballkan që ende nuk e ka statusin e vendit kandidat.

Sa ka folur për Kosovën, Kos ka bërë thirrje edhe për formimin e shpejtë të institucioneve, pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.

“Një qeveri funksionale dhe një Kuvend janë të domosdoshëm që Kosova të përfitojë nga plani i reformave dhe rritjes”, ka thënë mes tjerash ajo.

Kosova ende nuk ka Qeveri të re, si pasojë e moskonstituimit të Kuvendit të Kosovës.

Më 2 qershor Kuvendi ka dështuar që të konstituohet për të 25-ën herë.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button