Mickoski: Arsovska po përdoret si instrument nga BDI për destabilizim para zgjedhjeve lokale

Kryeministri Hristijan Mickoski vlerëson se Prokuroria duhet të lihet të veprojë mbi bazën e provave të dorëzuara dje nga kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, lidhur me legalizimin e paligjshëm të objekteve pa leje në Komunën e Çairit. Ai e inkurajoi gjithashtu që të paraqesë në MPB kërcënimet që ka marrë për jetën.
“Nëse provat janë dorëzuar në Prokurorinë Publike, propozoj ta lëmë atë të bëjë punën e saj dhe, sigurisht, nëse ka prova të tilla, të veprohet sipas tyre. Nuk ka dilemë këtu – ne nuk mund të sanksionojmë apo mos sanksionojmë të tjerët, ligji duhet të vlejë për të gjithë. Por le ta lëmë Prokurorinë të bëjë punën e saj dhe të shohim se çfarë është dorëzuar. Gjithashtu, më vjen vërtet keq nëse kryetarja po merr kërcënime për jetën dhe e inkurajoj menjëherë të shkojë në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe t’i paraqesë ato, ndërsa MPB të hetojë se kush është kërcënuesi dhe të veprojë menjëherë”, deklaroi Mickoski duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve gjatë një vizite në Institutin e Shëndetit Publik.

Kryeministri po ashtu tha “ka të vërtetë në këtë” kur u pyet për koment lidhur me deklaratat e kryetarit të Komunës së Çairit, Visar Ganiu, dhe zëvendëskryeministrit Izet Mexhiti – se kryetarja Danella Arsovska “po përdoret si instrument nga BDI për destabilizim para zgjedhjeve lokale”.

“Po, ka të vërtetë aty, dhe kjo, në fakt, është e qartë për të gjithë. Por unë nuk do të shtoj më shumë se çfarë kanë thënë z. Mexhiti dhe z. Ganiu. Ka të vërtetë dhe shumë shpejt opinioni do të mësojë edhe disa detaje të tjera”, tha Mickoski.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button