EVN sërish synon xhepat e qytetarëve – 10 milionë euro për leximin mujor të matësve të energjisë elektrike

EVN Maqedoni propozoi leximin mujor të matësve të energjisë elektrike, çka do të kushtonte rreth 10 milionë euro në vit dhe do të rrisë çmimin e energjisë për qytetarët për rreth 5%. Komisioni Rregullator për Energjetikë (KRRE) e refuzoi këtë ide, duke e vlerësuar si financiarisht të pajustifikuar dhe të dëmshme për konsumatorët.
Në vend të kësaj, KRRE njoftoi një futje graduale të matësve inteligjentë me lexim në distancë gjatë 2-3 viteve të ardhshme. Blerja e këtyre matësve do të kushtojë rreth 10 milionë euro, por do të ketë ndikim minimal në çmimin e rrymës – rreth 0.1%. Me këtë, pritet që 70-80% e përdoruesve të kenë matës me lexim në distancë, çka do të mundësojë matje më efikase dhe më të saktë të konsumit.
Në faturën e ardhshme, qytetarët do të marrin udhëzime se si të lexojnë vetë matësit dhe si të raportojnë nëse vërejnë ndonjë ndryshim në konsum. Gjithashtu, në fatura do të shënohet nëse konsumi është llogaritur mbi bazën e një leximi real të matësit ose një vlerësimi.
Në lidhje me vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese për lehtësimin e shkëputjes nga ngrohja qendrore, Bislimoski paralajmëroi se kjo mund të çojë në ulje të numrit të përdoruesve të energjisë termike dhe rritje të çmimit të ngrohjes. Shumë familje do të kalojnë në ngrohje me energji elektrike, gjë që mund të shkaktojë mbingarkesë të rrjetit elektrik në disa pjesë të Shkupit.
Gjithashtu, KRRE u bëri thirrje të gjitha kompanive energjetike që të rinovojnë licencat e tyre deri më 30 qershor, përndryshe nga 1 korriku nuk do të kenë të drejtë të operojnë. Kjo vlen për rreth 1.800 mbajtës licencash nga të gjitha fushat energjetike.
Ndërkohë, EVN Maqedoni planifikon të instalojë 50.000 matës inteligjentë në bashkëpunim me kompaninë ADD Bulgaria gjatë tre viteve të ardhshme. Këta matës do të mundësojnë lexim në distancë dhe do të ndihmojnë në uljen e humbjeve dhe vjedhjeve të energjisë elektrike.
Megjithatë, mbetet pyetja pse EVN insiston në zgjidhje të kushtueshme që rëndojnë drejtpërdrejt qytetarët, në vend që të investojë në teknologji moderne që në afat të gjatë do të sjellin kursime dhe përmirësim të shërbimeve.
Qytetarët meritojnë transparencë, efikasitet dhe trajtim të drejtë nga kompanitë energjetike, e jo kërkesa të vazhdueshme për shtrenjtim dhe shpenzime shtesë.



