Mickoski: Britanikët vijnë me 6 miliardë euro investime në shëndetësi dhe infrastrukturë

Me nënshkrimin e një marrëveshjeje strategjike partneriteti me Mbretërinë e Bashkuar, Maqedonia e Veriut hap rrugën për investime me vlerë gjashtë miliardë euro, njoftoi sot kryeministri Hristijan Mickoski në një konferencë të përbashkët për shtyp me ambasadorin britanik Matthew Lawson.

“Kjo marrëveshje përfaqëson shtyllën e dytë të pozicionimit tonë ndërkombëtar, pas partneritetit strategjik me SHBA. Ajo është një konfirmim se shteti ynë po ecën përpara – drejt stabilitetit, sigurisë, zhvillimit dhe një të ardhmeje evropiane”, deklaroi Mickoski.

Sipas kryeministrit, investimet britanike do të përfshijnë:

  • Ndërtimin e një hekurudhe të shpejtë për pasagjerë dhe një linje moderne cargo nga Tabanovcë deri në Gjevgjeli;

  • Spitale të reja në Shtip dhe Kërçovë;

  • Rikonstruksionin e Spitalit Klinik në Tetovë;

  • Ndërtimin e një konvikti studentor me 900 shtretër;

  • Fakultet të ri të Mjekësisë.

Detajet për kushtet financiare të marrëveshjes janë ende në finalizim, por Mickoski siguroi se janë “më të mirat që mund të merren në treg”. Sipas tij, së shpejti do të publikohen parametrat konkretë, që përfshijnë periudhë faljeje, afat të gjatë shlyerjeje dhe normë të favorshme interesi të bazuar në euroribor.

Ambasadori Lawson e vlerësoi marrëveshjen si kulm të marrëdhënieve dypalëshe:

“Ne jemi tashmë investitorë të mëdhenj dhe tani po e zgjerojmë këtë përmes një marrëveshjeje të fokusuar në tregti dhe investime. Synojmë të krijojmë rritje ekonomike nga e cila do të përfitojnë si qytetarët britanikë ashtu edhe ata maqedonas”, u shpreh Lawson.

Marrëveshja, rezultat i disa muajve negociatash intensive, pritet të hapë perspektiva të reja bashkëpunimi në fusha kyçe si siguria, transformimi digjital, arsimi dhe politikat klimatike. Përveç komponentës ekonomike e infrastrukturore, ajo parashikon edhe dialog politik të intensifikuar dhe koordinim brenda NATO‑s dhe organizatave të tjera ndërkombëtare.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button