Forcat izraelite vrasin gazetarin Hassan Samour dhe 11 anëtarë të familjes së tij në Gaza

Sulmet ushtarake izraelite lanë të vrarë të paktën 60 njerëz në Rripin e Gazës të enjten, thanë mjekët palestinezë, përderisa ndërmjetësit amerikanë e arabë po bëjnë përpjekje për armëpushim, ndërsa presidenti amerikan, Donald Trump, po e viziton Lindjen e Mesme.
Mjekët thanë se shumica e viktimave, në mesin e të cilave kishte gra e fëmijë, u vranë në qytetin Khan Younis, në jug të Gazës, nga sulmte ajrore që goditën shtëpi e tenda, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Në mesin e të vdekurve ishte gazetari Hassan Samour, i cili punonte për radion “Aqsa” që menaxhohet nga Hamasi, si dhe 11 anëtarë të familjes së tij, kur shtëpia e tyre u godit, thanë mjekët.
Nuk pati koment të menjëhershëm nga ushtria izraelite, e cila e ka intensifikuar ofensivën e saj në Gaza, përderisa po mundohet ta çrrënjosë Hamasin si hakmarrje për sulmet vdekjeprurëse që grupi palestinez i kreu në Izrael më 2023.
Hamasi tha në një deklaratë se Izraeli po bën një “përpjekje dëshpëruese për të negociuar nën mbulesën e zjarrit”, përderisa bisedimet e tërthorta mes dy palëve po vazhdojnë. Në to po marrin pjesë ndërmjetës nga ShBA-ja, Katari e Egjipti në Doha.
Zyrtarët shëndetësorë palestinezë thonë se sulmet izraelite janë përshkallëzuar nga koha kur presidenti amerikan nisi një vizitë të martën në Arabinë Saudite, Katar e Emiratet e Bashkuara Arabe. Shumë palestinezë kishin shpresuar se Trumpi do ta shfrytëzonte vizitën për të bërë thirrje për armëpushim.
Sulmet e reja ndodhën pas sulmeve të së mërkurës në Gaza, kur u vranë të paktën 80 njerëz të tjerë, thanë zyrtarët lokalë shëndetësorë.
Nga bisedimet e tërthorta për armëpushim mes Izraelit e Hamasit ka pasur pak rezultate. Hamasi thotë se është i gatshëm t’i lirojë pengjet e mbetura në këmbim të përfundimit të luftës, ndërsa kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, parapëlqen armëpushime të përkohshme, duke thënë se lufta mund të përfundojë vetëm kur Hamasi të jetë çrrënjosur./Nacionale