Kasami së bashku me kandidaten e PD-së për deputete, Jorida Tabaku takojnë qytetarët

Kryetari i Tetovës, Bilall Kasami ka njoftuar se po qëndron në Tiranë ku së bashku me kandidaten për deputete të Partisë Demokratike, Jorida Tabaku kanë takuar disa qytetarë në prag të zgjedhjeve parlamentare.
“Në Tiranë, bashkë me kandidaten për deputete të Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, një grua që e bën politikën me zemër, jo nga zyrat, por pranë njerëzve, në rrugë, në lagje, atje ku jeta është reale.
Ka politikanë që flasin për qytetarët dhe ka të tillë që ecin përkrah tyre, i dëgjojnë me kujdes dhe veprojnë me përgjegjësi. Jorida është një prej këtyre. Për këtë i dhashë mbështetjen time, sepse ajo e di mirë çfarë do të thotë t’u shërbesh shqiptarëve.
Bashkë shpërndamë edhe fletushka, por ajo që vleu më shumë ishin bisedat e sinqerta, të drejtpërdrejta me njerëzit. Sepse kur je pranë tyre, ballë për ballë me realitetin, e ndjen më thellë se çfarë i mungon këtij vendi. Dhe kur i dëgjon me zemër, kupton pse ia vlen të luftosh për të nesërmen.
Me gjithë zemër, suksese në zgjedhje, Jorida – Tirana ka nevojë për zërin tend”, ka shkruar Kasami.