Apple do të zhvendosë montimin e iPhone-ve në Indi, duke u larguar nga Kina

Ndërsa Apple përballet me luftën tregtare të Presidentit të SHBA-së Donald Trump ndaj Kinës, kompania ka bërë të ditur planet për të zhvendosur montimin e shumicës së iPhone-ve që shet në SHBA drejt Indisë deri në fund të vitit 2026 – një lëvizje që do të dyfishonte prodhimin aktual nga ky shtet i Azisë Jugore dhe do ta largonte atë më tej nga Kina.

Gjiganti teknologjik aktualisht prodhon në Kinë 80 për qind të 60 milionë iPhone-ve që shiten në SHBA, dhe kjo është një hap kyç për të zbutur disa nga kostot që përballen për shkak të tarifave në rritje ndaj Kinës.

Financial Times ishte i pari që raportoi planet e Apple të premten.

Apple – me një vlerë tregu mbi 3 trilionë dollarë – raportohet se është në bisedime me prodhuesit me të cilët bashkëpunon në Indi, përfshirë Foxconn dhe Tata Group, për të zbatuar këtë plan, sipas agjencisë Reuters, e cila citon një burim anonim.

Kompania tashmë ka zgjeruar prodhimin në Indi për të përballuar tarifat që u vendosën gjatë administratës së parë të Trump. Vetëm në mars, Apple eksportoi iPhone në vlerë 2 miliardë dollarë nga India drejt SHBA-së – rreth 600 tonë ngarkesë – një rekord si për Tata ashtu edhe për Foxconn, sipas Reuters.

Kryeministri indian Narendra Modi e ka promovuar vendin si një qendër globale të prodhimit të telefonave inteligjentë. Më herët këtë vit, India hoqi taksat e importit për disa komponentë të prodhimit të telefonave – një përfitim i madh për kompani si Apple.

“Po vendoset taksë importi për mallra ndërmjetëse – në atë rast nuk mund të jesh konkurrues ndaj atyre që nuk e paguajnë atë. Qëllimi i Indisë është të jetë sa më konkurruese që të jetë e mundur për të qenë qendra udhëheqëse e prodhimit,” tha Babak Hafezi, drejtor i kompanisë ndërkombëtare të konsulencës Hafezi Capital, për Al Jazeera.

Sipas një raporti të Bloomberg, Apple ka montuar rreth 22 miliardë dollarë iPhone në Indi gjatë periudhës 12-mujore deri në mars 2025 – një rritje prej 60 për qind nga viti i kaluar. Megjithatë, vetëm 20 për qind e iPhone-ve në botë prodhohen në Indi.

Pengesat
Ky ndryshim në prodhim do t’i kushtojë Apple. Sipas Reuters, prodhimi i iPhone-ve në Indi është 5–8 për qind më i shtrenjtë sesa në Kinë.

“India do të ndihmojë, por nuk do ta zëvendësojë varësinë e Apple nga Kina. Do të duhen vite për ta realizuar këtë lëvizje, pasi Apple është kapur në stuhi tarifore,” tha analisti Dan Ives nga Wedbush Securities, për Al Jazeera.

Më herët këtë javë, portali “The Information” raportoi se autoritetet kineze kanë ngritur pengesa për furnitorët e Apple që përpiqen të zhvendosin prodhimin nga Kina në Indi. Ata kanë vonuar dërgesat apo kanë bllokuar pajisje pa shpjegim. Në disa raste, Foxconn kishte refuzime të aplikimeve për eksport, ndërsa të tjerat u shtynë deri në katër muaj.

“Për sa i përket prodhimit bazë të iPhone-ve, do të duhen vite për të zhvendosur një pjesë të rëndësishme nga Kina në Indi,” shtoi Ives, duke iu referuar komponentëve që prodhohen në Kinë dhe më pas dërgohen në Indi për montim.

Ai gjithashtu tha se plani i Apple për të zhvendosur të gjithë montimin për telefonat që shiten në SHBA drejt Indisë mund t’i kushtojë kompanisë 30 deri në 40 miliardë dollarë.

Ka gjithashtu shqetësime nëse infrastruktura e Indisë mund të përballojë këtë rritje të prodhimit.

“Ata kanë probleme të mëdha infrastrukturore – trafik, lëvizshmëri dhe shumë faktorë të tjerë që e bëjnë procesin e prodhimit më të gjatë dhe rrjedhimisht më të kushtueshëm për kompaninë,” shtoi Hafezi.

“Duhet infrastrukturë e sigurt, e qëndrueshme dhe produktive për të maksimizuar prodhimin dhe për të qenë konkurrues globalisht,” përfundoi ai.

Ky zhvillim vjen ndërsa administrata Trump ka treguar gatishmëri për të zbutur tensionet tregtare me Kinën, mes frikës për pasojat ekonomike të luftës tarifore.

Të premten, Trump tha se kishte folur me Presidentin e Kinës Xi Jinping, por nuk sqaroi kur ndodhi biseda. Në një intervistë për TIME më herët këtë javë, Trump tha se administrata e tij po bisedon me Pekinin për një marrëveshje tarifore. Kina e ka mohuar që po zhvillon bisedime tregtare me SHBA-në.

Por bisedimet tregtare me Indinë janë në zhvillim. Këtë javë, zëvendëspresidenti amerikan JD Vance u takua me Modi-n, ku u tha se të dyja palët kanë bërë “përparim të mirë” drejt një marrëveshjeje tregtare dypalëshe.

Lajmi për zhvendosjen e prodhimit të Apple drejt Indisë vjen pak para raportit të fitimeve të kompanisë, i cili pritet të publikohet të enjten. /Al Jazeera/

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button