Rasti TEC Negotinë: A do të lirohet nesër Jahoski me garanci milionëshe?

Pronari i kompanisë “Pucko Petrol”, Asmir Jahoski, ka ofruar 2 milionë euro garanci për të dalë nga paraburgimi, pretendojnë burime nga sistemi gjyqësor të informuar mbi rastin.
Sipas këtyre burimeve, të enjten, mbrojtja e Jahoskit – i cili është djali i deputetit të BDI-së, Ismail Jahoski – ka ofruar prona me vlerë prej 2 milionë eurosh në përpjekje që gjykata t’i lejojë Asmirit të mbrohet në liri për një rast me vlerë mbi 160 milionë euro.
Vendimin për këtë duhet ta marrin zyrtarisht nesër tre gjyqtarë të Gjykatës Penale në Shkup, të cilët duhet të vlerësojnë nëse Jahoski, pasuria e të cilit llogaritet në dhjetëra milionë euro, mund të lirohet nga paraburgimi.
Tre gjyqtarët duhet të bëjnë një analizë juridike nëse, pesë javë pasi Asmir Jahoski u dërgua në paraburgim për shkak të rrezikut për arratisje ose ndikim te dëshmitarët, ai mund tani të mbrohet në liri.
Asmir Jahoski, një nga 13 të dyshuarit për furnizim me mazut toksik për TEC Negotinë, dhe djali i deputetit të BDI-së, Ismail Jahoski, pret që nesër të lirohet nga paraburgimi.
Burime nga Prokuroria për Krim të Organizuar dhe nga Gjykata Penale në Shkup i thanë expres.mk se për familjarët e tij dhe për zyrtarët në BDI, kjo punë konsiderohet e kryer.
Operacionin për daljen nga paraburgimi Jahoski e ka nisur përmes avokatëve të tij katër ditë më parë, të enjten e Pashkëve, kur është dorëzuar kërkesa për ndërprerje të paraburgimit.
Edhe pse në raste të tjera kjo kërkesë mund të qëndrojë ditë të tëra në prokurori, të enjten ajo ka mbërritur në mënyrë ekspres nga Gjykata Penale në Shkup në Prokurorinë për Krim të Organizuar, e udhëhequr nga Islam Abazi.