Zelensky: Inteligjenca ukrainase ka identifikuar 155 shtetas kinezë që kanë luftuar në krah të Rusisë!

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky tha sot se inteligjenca ukrainase ka identifikuar 155 shtetas kinezë që kanë luftuar përkrah forcave ruse, një ditë pasi Ukraina tha se kapi dy shtetas kinezë.
Shtetasit kinezë janë rekrutuar përmes reklamave në mediat sociale, tha Zelensky në një konferencë. Kina ka mohuar vazhdimisht çdo përfshirje në luftë.
Një zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës tha më herët gjatë ditës sot se çdo pretendim se qytetarët kinezë po luftojnë në Ukrainë është “i pabazë”.
“Është e rëndësishme të theksohet se qeveria kineze ka udhëzuar gjithmonë qytetarët e saj që të qëndrojnë larg zonave të konfliktit të armatosur dhe të shmangin përfshirjen në konflikt në çdo formë, veçanërisht duke shmangur pjesëmarrjen në operacionet ushtarake të çdo pale”, tha zëdhënësi Lin Jian në një konferencë për shtyp.
Një dokument i agjencive ukrainase të sigurisë parë nga CNN pretendon të tregojë një listë me më shumë se 150 shtetas kinezë që kanë shërbyer me forcat e armatosura ruse, shumica e të cilëve thuhet se janë në pozicionet më të ulëta ushtarake.
Shumica e kontratave në dokument janë të viti 2024dhe përfshijnë njësi të ndryshme ushtarake.
Lista nuk është verifikuar nga CNN.
“Ne po mbledhim informacione dhe besojmë se ka shumë, shumë të tjera”, tha Zelensky të mërkurën, përpara se të pretendonte se Pekini ishte në dijeni të rusëve që vendosnin video rekrutimi në rrjetet sociale kineze.
“Këta njerëz mbërrijnë në Federatën Ruse, në Moskë. Kontrollet mjekësore zgjasin tre deri në katër ditë. Qendrat e trajnimit janë për një deri në dy muaj. Ata luftojnë në territorin e Ukrainës,” shtoi ai.
I pyetur nëse mendon se prania e shtetasve kinezë në Ukrainë ishte rezultat i politikës zyrtare të Pekinit, Zelensky tha: “Unë nuk kam ende një përgjigje për këtë pyetje. Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës do të punojë për të … Ne nuk po themi se dikush ka dhënë ndonjë komandë, ne nuk kemi informacion të tillë.”
Akuzat për shtetasit kinezë që luftojnë përkrah forcave ruse pasojnë pretendimet e Ukrainës se dy shtetas kinezë që luftojnë në ushtrinë ruse janë kapur rob në Ukrainën lindore.
Zelensky tha të martën se forcat ukrainase që luftonin në rajonin e Donetskut morën dokumentet, kartat bankare dhe të dhënat personale të shtetasve kinezë.
Presidenti ukrainas tha ndër të tjera se Ukraina është “gati të shkëmbejë” dy individët me robër lufte ukrainas.
Por zëdhënësi i Kremlinit nuk pranoi të komentojë mbi pretendimin se shtetasit kinezë dyshohet se janë kapur në Ukrainë. Pekini tha të mërkurën se është “duke verifikuar” situatën me Ukrainën.
Ushtria ukrainase thotë se shtetasi kinez ka paguar për t’u bashkuar me ushtrinë ruse
Një nga shtetasit kinezë të kapur duke luftuar në Ukrainën lindore kishte paguar për t’u bashkuar me ushtrinë ruse përmes një ndërmjetësi në Kinë, me qëllim që të bëhej shtetas rus, sipas ushtrisë ukrainase.
I arrestuari kinez, për të cilin autoritetet ukrainase thanë të martën se u kap si rob lufte së bashku me një shtetas të dytë kinez, ka të ngjarë se ka folur nën presion.
“Sipas të burgosurit, ai iu bashkua ushtrisë ruse përmes një ndërmjetësi në Kinë, duke paguar 300,000 rubla (3,500 dollarë) për mundësinë për t’u regjistruar në Forcat e Armatosura Ruse”, tha departamenti i komunikimit i Grupit Operativ Taktik të Luhansk në një deklaratë për mediat ukrainase.
“Ai deklaroi se motivimi i tij kryesor ishte dëshira për t’u bërë ushtarak dhe për të marrë nënshtetësinë e Federatës Ruse. Ai tha se disa anëtarë të grupit kishin probleme ligjore në Kinë,” thuhet në një deklaratë për gazetën Ukrainska Pravda.