Kina jep mesazhin se nuk do të tërhiqet përballë kërcënimit tarifor të Trumpit

Kina ka njoftuar se nuk do të tërhiqet përballë kërcënimit të presidentit amerikan Donald Trump për të vendosur tarifa shtesë prej 50 për qind dhe do të marrë masa vendimtare për të mbrojtur të drejtat dhe interesat e saj, raporton Anadolu.

Në një konferencë për media në Pekin, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Lin Jian iu përgjigj pyetjes së gazetarit të AA-së lidhur me qëndrimin e Kinës kundër kërcënimit të Trumpit për tarifa shtesë.

Ai tha se SHBA-ja ka shkelur të drejtat dhe interesat legjitime të vendeve të tjera dhe rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT) duke vendosur tarifa arbitrare dhe se ka dëmtuar rendin dhe stabilitetin ekonomik global.

“Tarifat e SHBA-së janë një shembull tipik i njëanshmërisë, proteksionizmit dhe tiranisë ekonomike. Kina do të marrë me vendosmëri masat e nevojshme për të mbrojtur të drejtat dhe interesat e saj legjitime”, tha Jian.

Ai theksoi se nuk do të ketë fitues në luftërat tregtare dhe të tarifave dhe se proteksionizmi nuk është rrugëdalje.

Jian potencoi se populli kinez nuk dëshiron të shkaktojë telashe dhe as nuk ka frikë dhe se presioni, kërcënimet dhe shantazhet nuk janë mënyrat e duhura për të arritur marrëveshje me Kinën. “Nëse SHBA-ja këmbëngul për tarifat dhe një luftë tregtare, Kina do të shkojë deri në fund”, shtoi zëdhënësi Jian.

Ministria e Tregtisë e Kinës në një deklaratë sot tha se “do të ndërmerren kundërmasa të vendosura” në përgjigje të kërcënimit të Trumpit për tarifa shtesë prej 50 për qind dhe se Kina do të kundërveprojë ndaj çdo hapi të marrë për të rritur më tej tarifat.

– Rritja e “tarifave reciproke” të Trumpit dhe përgjigjja e Kinës

Hapi i Kinës erdhi pasi presidenti amerikan Donald Trump njoftoi se do të vendoste tarifa shtesë prej 34 për qind ndaj Kinës si pjesë e “tarifave reciproke”.

Washingtoni tha se ndaj Kinës do të vendosej tarifë doganore shtesë prej 34 për qind, përfshirë tarifën bazë prej 10 për qind dhe “tarifë reciproke” prej 24 për qind. Me rritjen e tarifave të reja, tarifa minimale e aplikuar nga SHBA-ja për produktet e importuara nga Kina u rrit deri në 54 për qind.

Kina ishte vendi i parë që reagoi ndaj rritjes së tarifave amerikane, duke njoftuar se do të vendoste tarifa shtesë me të njëjtin ritëm në përgjigje të rritjes së tarifave prej 34 për qind.

Pekini ngriti gjithashtu padi kundër SHBA-së në OBT, kufizoi eksportin e disa elementeve të rralla të tokës dhe njoftoi sanksione kundër kompanive amerikane.

Në përgjigje të kësaj, Trump tha se do të vendosë tarifë shtesë prej 50 për qind dhe do të anulojë bisedimet e planifikuara me Kinën nëse Pekini nuk tërheq deri më 8 prill rritjen e tarifave shtesë prej 34 për qind, që ajo ka vendosur si kundërpërgjigje ndaj tarifave reciproke.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button