E shtuna “kritike” në Beograd

15 marsi në Beograd do të nisë me një tubim masiv të organizuar nga studentët, të cilët prej muajsh tashmë protestojnë. Ato nisën qysh pas 1 nëntorit kur 15 persona vdiqën në Novi Sad si pasojë e shembjes së strehës së stacionit të trenit.
Studentët si çdoherë edhe tash kanë paralajmëruar protestë paqësore, por presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, ka paralajmëruar se tubimi mund të përfundojë me dhunë. Ai ka kërcënuar me arrestime masive të protestuesve nëse ata do të bëhen të dhunshëm dhe ka theksuar se e vetmja mënyrë që ai të largohet nga pushteti është “nëse më vrasin”, raporton AP.
Kësaj radhe, besnikët e Vuçiqit kanë arritur në kryeqytetin serb. Ata kanë zënë hapësira në një park dhe kanë ngrehur tenda duke krijuar njëfarë mburoje njerëzore për Vuçiqin.
Në mesin e këtyre besnikëve ka edhe veteranë të njësive paramilitare që kanë kryer krime luftë gjatë luftërave në Ballkan në vitet 1990. Figura shumë të njohura nga bota e krimit në Serbi mund të shihen aty po ashtu.
Protestat fillimisht patën nisur si mënyrë për të kërkuar përgjegjësi për tragjedinë e Novi Sadit. Por, shpejt u kthyen në lëvizje kombëtare që adresonin çështje të tjera si kërkesat për reforma demokratike.
Vuçiqi është përpjekur t’i ulë presionet duke e sakrifikuar kryeministrin, që dha dorëheqje në dhjetor. Ai vuri përpara një draft të legjislacionit për edukimin universitar, ndërsa 16 persona u paditën për ngjarjen në Novi Sad.
E, protestat vazhdimisht i ka përshkruar si të organizuara në Perëndim për ta nxjerrë jashtë pushtetit.
Mijëra njerëz nga e gjithë Serbia priten të arrijnë në Beograd të shtunën. Qindra studentë kanë filluar marshin drejt kryeqytetit nga drejtime të ndryshme, e disa janë nisur me biçikleta.
Qytetarët e Beogradit, një qytet me rreth dy milionë banorë, ka të ngjarë të vërshojnë rrugët në numër të madh.
Tubimi të shtunën e 15 marsit lehtë mund të kthehet në tubimin më të madh ndonjëherë në shtetin e trazuar ballkanik, i cili ka histori të gjatë demonstratash anti-qeveritare.