Rubio dënon lëvizjet e Dodikut: U bëjmë thirrje partnerëve në rajon të kundërshtojnë këtë sjellje

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka deklaruar se veprimet e presidentit të Republikës Serbe (RS), Millorad Dodik, përbëjnë një kërcënim serioz për sigurinë dhe stabilitetin e Bosnje e Hercegovinës, duke minuar funksionimin e institucioneve shtetërore.
“Qeveria jonë u bën thirrje liderëve politikë në Bosnje e Hercegovinë që të angazhohen në një dialog konstruktiv dhe të përgjegjshëm. Po ashtu, i ftojmë partnerët tanë rajonalë që të na bashkohen në kundërshtimin e kësaj sjelljeje të rrezikshme dhe përshkallëzuese”, shkroi Rubio në platformën X.
Më 5 mars, Dodiku dekretoi ligjet e miratuara nga Kuvendi i Republikës Serbe, të cilat ndalojnë funksionimin e Gjykatës, Prokurorisë, Agjencisë Shtetërore të Hetimeve (SIPA) dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor e Prokurorial të Bosnjës në territorin e këtij entiteti.
Megjithatë, më 7 mars, Gjykata Kushtetuese e Bosnje e Hercegovinës vendosi një masë të përkohshme për të ndaluar zbatimin e këtyre ligjeve.
Gjykata, Prokuroria dhe SIPA janë institucione të krijuara në përputhje me ligjet e miratuara nga Kuvendi i Bosnje e Hercegovinës, të cilat janë konfirmuar edhe nga Dhoma e Popullit. Për çdo ndryshim në këto ligje, sipas Kushtetutës së vendit, nevojitet votimi nga Kuvendi shtetëror.
Kuvendi i Republikës Serbe miratoi ligjet më 27 shkurt, pas vendimit të Gjykatës së Bosnjës që e dënoi Dodikun me një vit burgim dhe i ndaloi ushtrimin e detyrës si president i RS-së për gjashtë vjet. Sistemi politik në Bosnje e Hercegovinë, një vend me rreth 3.1 milionë banorë, konsiderohet ndër më të ndërlikuarit në botë.