U dënua për shprehjen ‘kërcenin si majmunë’, Mourinho padit gjigantin turk për dëm moral

José Mourinho ka ngritur një padi për dëm moral ndaj Galatasaray, duke kërkuar dëmshpërblim prej 1 milion e 907 mijë lira turke (rreth 50 mijë euro).
Lajmin e ka bërë të ditur Fenerbahçe në një deklaratë zyrtare, ku theksohet se “Special One” do të mbrohet nga avokatët e klubit dhe se padia është ngritur “për shkak të sulmit ndaj të drejtave personale të trajnerit tonë”.
Galatasaray e ka akuzuar Mourinhon për ofendime raciste dhe imorale, duke iu referuar frazës së tij të diskutueshme “kërcenin si majmunë”, për të cilën trajneri portugez është dënuar me 4 ndeshje pezullim nga federata.
Ai mori 2 ndeshje pezullim për pretendimet mbi racizmin dhe 2 të tjera për fjalët drejtuar gjyqtarit të katërt, të cilit i sugjeroi të merrte shembull nga arbitri kryesor i ndeshjes, slloveni Vincic.
Ishte vetë Mourinho që pranoi se kishte bërë një koment pas ndeshjes: “Shkova në dhomën e arbitrave dhe aty ishte gjyqtari i katërt turk. I thashë se nëse ai do të ishte arbitri kryesor, do të kishte qenë një katastrofë”./NOA



