Trump, Musk harrojnë të mbrojnë armët bërthamore amerikane

Fushata e Presidentit Donald Trump dhe këshilltarit të tij, Elon Musk, për të shkurtuar në mënyrë radikale burokracinë amerikane është zgjeruar, duke pushuar nga puna mbi 9,500 punonjës që menaxhonin gjithçka, nga administrimi i tokave federale deri te kujdesi për veteranët e ushtrisë.
Rreth 1,200 deri në 2,000 punonjës të Departamentit të Energjisë u shkarkuan, përfshirë 325 nga Administrata Kombëtare e Sigurisë Bërthamore (NNSA), e cila mbikëqyr arsenalin bërthamor, thanë për Reuters burime të njohura me çështjen të premten.
CNN raportoi se zyrtarët duket se nuk e dinin që NNSA mbikëqyr armët bërthamore të Amerikës.
Ndër të pushuarit ishin personel i NNSA i vendosur në uzina prodhimi të armëve bërthamore, të cilët inspektojnë armët dhe mbikëqyrin kontraktorët që i prodhojnë ato.
Gjithashtu, u përfshinë edhe punonjës në selinë e NNSA-së, të cilët hartojnë specifikime dhe udhëzime për kontraktorët që prodhojnë armë bërthamore.
Sipas NPR, shkarkimet masive shkaktuan pasiguri dhe kaos në agjencinë civile që menaxhon arsenalin bërthamor të vendit gjatë dy ditëve të fundit.
“Kjo ndodh sepse askush nuk ka marrë kohë për të kuptuar se çfarë bëjmë ne dhe rëndësinë e punës sonë për sigurinë kombëtare,” tha një burim për CNN.
Punonjësit e Departamenteve të Brendshëm, të Energjisë, të Çështjeve të Veteranëve, të Bujqësisë dhe të Shëndetësisë u pushuan nga puna, në një fushatë që deri më tani është përqendruar kryesisht, por jo ekskluzivisht, te punonjësit në periudhën provuese të vitit të parë, të cilët kanë më pak mbrojtje ligjore në punë.
Pushimet nga puna, të raportuara nga Reuters dhe media të tjera kryesore amerikane, janë përveç rreth 75,000 punonjësve që kanë pranuar një paketë largimi vullnetar të ofruar nga Trump dhe Musk, sipas Shtëpisë së Bardhë.
‘E rrezikshme dhe e papërgjegjshme’
USA Today citoi senatorin Ed Markey duke thënë se vala e pushimeve nga puna “dobëson mbikëqyrjen dhe mund ta lërë arsenalin tonë bërthamor të pambrojtur. Është jashtëzakonisht e papërgjegjshme.”
Sipas revistës Fortune, NNSA është një degë gjysmë-autonome e Departamentit të Energjisë, e ngarkuar me prodhimin dhe çmontimin e armëve bërthamore, furnizimin e Marinës me reaktorë bërthamorë për nëndetëse dhe përgjigjen ndaj emergjencave radiologjike, ndër të tjera.
Agjencia gjithashtu luan një rol kyç në kundër-terrorizëm, transportimin e armëve bërthamore brenda vendit dhe reagimin ndaj incidenteve bërthamore në mbarë botën.
Pas ndërgjegjësimit për pasojat, NNSA ka nisur të rishqyrtojë shkarkimet nga puna.