Luftimet në Republikën Demokratike të Kongos nxisin një ’emergjencë shëndetësore’

Kreu i agjencisë shëndetësore të Afrikës ka deklaruar se situata në qytetin Goma të Republikës Demokratike të Kongos është një “emergjencë e plotë shëndetësore”, duke paralajmëruar se luftimet atje mund të nxisin shpërthimin e pandemive të mëdha.
Grupi i armatosur M23, i cili dyshohet se mbështetet nga Ruanda, ka avancuar në lindjen e paqëndrueshme të Republikës Demokratike të Kongos, një rajon që ka qenë skenë e shpërthimeve të shumta të sëmundjeve infektive.
Më herët këtë javë, M23 mori nën kontroll shumicën e qytetit Goma, kryeqytetit të provincës North Kivu, një qytet i dendur me tre milionë banorë, prej të cilëve një milion janë të zhvendosur.
Jean Kaseya, kreu i Qendrave Afrikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (Africa CDC), tha se “këto kushte ekstreme, të kombinuara me pasigurinë dhe zhvendosjen masive, kanë nxitur mutacionin e virusit mpox”.
Varianti 1b i mpox-it, i cili është regjistruar në shumë vende të botës muajt e fundit, u shfaq për herë të parë në provincën fqinje të South Kivu në vitin 2023.
“Goma është kthyer në epiqendrën që po përhap mpox-in në 21 vende afrikane”, tha Kaseya në një letër dërguar të premten liderëve afrikanë.
Rreziku i përhapjes së epidemive të mëdha
“Kjo nuk është vetëm një çështje sigurie – është një emergjencë e plotë shëndetësore”, theksoi ai.
“Kjo luftë duhet të përfundojë. Nëse nuk merren masa vendimtare, nuk do të jenë vetëm plumbat që do të marrin jetë – do të jetë përhapja e pakontrolluar e epidemive të mëdha dhe pandemive të mundshme që do të vijnë nga ky rajon i brishtë… duke shkatërruar ekonomitë dhe shoqëritë në gjithë kontinentin tonë”, paralajmëroi Kaseya.
Gjithashtu, kushtet e përkeqësuara kanë çuar në “shpërthime masive të fruthit, kolerës dhe sëmundjeve të tjera, duke marrë mijëra jetë të tjera”.
Konflikti në lindjen e Republikës Demokratike të Kongos përfaqëson një përshkallëzim dramatik në një rajon që ka qenë i përfshirë nga dhuna për dekada, me disa grupe të armatosura, të cilat gjatë 30 viteve të fundit kanë shkaktuar vdekjen e rreth gjashtë milionë njerëzve.
Vëzhguesit ndërkombëtarë kanë ngritur alarmin për ndikimin humanitar të përshkallëzimit të konfliktit. /TRT World/