Çfarë rezultati do të kishit në testin e fundit PISA, ja një shembull

Largësia e planetëve në Sistemin Diellor, ekonomia e një makine, mesatarja e pikëve në një lojë basketbolli, ngarkimi i kutive në një maun në lëvizje… Këto janë disa nga pyetjet e matematikës nga testi më i fundit PISA 2022, të cilat iu parashtruan 15-vjeçarëve nga 81 vende dhe territore në mbarë botën, përfshirë Maqedoninë e Veriut, raporton Radiomof, përcjellë Alfax.
Në detyra u kërkohet nxënësve të lexojnë një tekst të caktuar, ose të analizojnë të dhëna dhe më pas pritet që të japin përgjigje për pyetjet. Disa nga detyrat janë të thjeshta, por ka edhe disa që janë vërtet komplekse dhe kërkojnë që nxënësit ta zgjidhin problemin duke përdorur disa fusha matematikore.
Detyrat e matematikës nga PISA 2022 mund t’i gjeni në gjuhën maqedonase ose shqipe në linkun e mëposhtëm dhe mund të zgjidhen përmes shfletuesit tuaj të internetit.
Në testin e fundit të PISA-s, gjimnazistët e Maqedonisë së Veriut sërish u gjendën në grupin e vendeve që tregojnë rezultate më të këqija në matematikë, lexim dhe shkenca natyrore.
Nga gjithsej 81 shtete, provinca dhe territore që u përfshinë në testimin e vitit të kaluar, Maqedonia e Veriut u rendit e 62-ta në matematikë, e 72-ta në lexim dhe e 69-ta në shkencë. Nxënësit shënuan mesatarisht 389 pikë në matematikë (mesatarja e OECD është 472), në lexim ata shënuan 389 pikë (mesatarja e OECD është 476), dhe në shkencë ata shënuan 380 pikë (mesatarja e OECD është 489 pikë).
Në të gjithë botën, Singapori është në krye në të tre kategoritë, ndërsa Macau, Taipei Kinez, Japonia dhe Koreja janë gjithashtu në pesë vendet e para. Në fund janë studentët nga Kamboxhia, Paraguaj dhe Republika Domenikane. Alfax.



