Erdogan premton mbështetjen e Ankarasë për tranzicionin sirian dhe stabilitetin rajonal
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan ka riafirmuar angazhimin e vendit të tij për të ndihmuar Sirinë gjatë procesit të tranzicionit pas rënies së regjimit të Bashar al-Asadit më herët këtë muaj, raporton Anadolu.
“Ne po mbështesim popullin sirian në menaxhimin pa probleme të procesit të tranzicionit, pa ndonjë pengesë përpara gjatë rrugës”, u tha presidenti Erdoğan gazetarëve në fluturimin e tij të kthimit nga kryeqyteti egjiptian Kajro, ku mori pjesë në samitin e djeshëm të grupit D-8.
Erdoğan njoftoi se ministri turk i Punëve të Jashtme, Hakan Fidan së shpejti do të vizitojë Sirinë për të punuar mbi “strukturën e re” që do të krijohet në vend. “Nëse Siria krijon një strukturë vërtetë të qëndrueshme me këtë formacion të ri, sipas mendimit tim, ajo do të mbajë një pozicion të fortë në botën islame”, tha Erdoğan.
Duke trajtuar çështjet urgjente të tilla si shkurtimet e energjisë dhe sfidat e sigurisë në vendin fqinj, Erdoğan u zotua se do të zgjidhë me shpejtësi problemet e Sirisë mbi energjinë dhe se do të forcojë marrëdhëniet tregtare edhe me Sirinë, edhe me Irakun.
“Ne do të intensifikojmë tregtinë tonë me Irakun dhe Sirinë. Kjo do të sjellë një vrull të ri si për Sirinë, ashtu edhe për Irakun”, tha ai. Presidenti turk gjithashtu foli mbi shqetësimet e sigurisë rajonale, duke bërë thirrje për konsekuencë në atë si vendet perëndimore i trajtojnë grupet terroriste.
“Ashtu sikurse DEASH-i nuk mund të mbajë demonstrata në rrugë dhe sheshe të vendeve perëndimore, as PKK-ja dhe degët e saj nuk duhet ta bëjnë”, shtoi ai. Duke theksuar ndikimin e dobësuar të PKK-së, presidenti Erdoğan tha se grupi terrorist dhe organizatat e lidhura me të kanë “arritur fundin e jetëgjatësisë” së tyre.
Mbi çështjet kufitare gjeopolitike, Erdoğan kërkoi nga vendet perëndimore, veçanërisht nga SHBA-ja, që të ndërmarrin veprime kundër pushtimit izraelit të territoreve siriane. “Patjetër të deklarohet me zë të lartë se pushtimi izraelit i territoreve siriane është i papranueshëm”, tha ai.
Erdoğan theksoi mizoritë e kryera nën sundimit e Asadit në burgun “Sednaya”, që ndodhet afër Damaskut, duke e quajtur burgun simbol të abuzimeve të regjimit. “Mizoritë, vrasjet jashtëgjyqësore dhe padrejtësia janë mes imazheve të dhimbshme të realitetit të regjimit Baath”, tha presidenti Erdoğan, duke u zotuar për “përndjekje të përgjegjësisë për këto krime sipas ligjit ndërkombëtar”.