Gatuso për Leon Dajakun: Shumë negativ, ma prishi ekipin!
Futbollisti i Hajduk Splitit, Leon Dajaku nuk i ka aspak punët mirë me trajnerin e njohur, Xhenaro Gatuso. Gjatë konferencës për media, trajneri i njohur italian foli për futbollistin shqiptar. Duke e “futur” në një thes me Benrahou, Gatuso kritikoi ashpër qëndrueshmërinë e Leon Dajkut, duke thënë se pikërisht kjo dyshe po sjellin negativitet në skuadër.
“Tre muaj më parë i pranova në ekip. I përcjella, pas bisedimeve tona, e kupton që kjo histori nuk ka përfunduar. Unë jam shumë vite në këtë biznes, stema dhe fanella e Hajdukut meriton respekt. Unë si trajner kam rregullat e mia, dhe u kërkoj lojtarëve t’i respektojnë ato. Mendoj se lojtarët profesionist duhet të jenë futbollistë në kuptimin e plotë të fjalës,” tha në fillim Gatuso.
“Qasja e tyre duhet të jetë mirë si kur fitojnë, ashtu edhe kur humbasin. Lojtarët duhet të jenë të gatshëm për t’u përgjigjur në veprimet e tyre. Nuk u takon atyre të shqetësohen për të luajtur. Ata duhet të jenë të gatshëm për të luajtur në çdo kohë. Ajo që nuk më pëlqen te lojtarët është negativiteti. Këta dy lojtarë sollën shumë negativitet. Ka lojtarë të tjerë që janë negative,” shtoi trajneri Italian.
“Lojtarët duhet të jenë lojtarë, duhet të sillen si profesionistë. Ata nuk duhet ta kenë fytyrën negative. Pagat në klub i marrin me kohë. Nëse doni të largoheni, merrni përgjegjësinë. Mos kërkoni para nga klubi. Për sa kohë që unë jam trajner, lojtarët do derdhin gjakun për këtë stemë”, u shpreh Gattuso.
Hajduk Split të dielen luan ndeshjen e fundit të këtij viti, ndaj Shibenikut. Kujtojmë që skuadra e menaxhuar nga Gattuso është në pozitën e 2-të me 33 pikë, aq sa ka edhe vendi i parë, skuadra e Rijekës./Indeksonline/