Kancelari gjerman Scholz humbet votën e besimit në parlament

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka humbur një votëbesim në parlamentin e vendit, në një lëvizje të llogaritur politike për t’u hapur rrugën zgjedhjeve të parakohshme në muajin shkurt të vitit 2025, transmeton Anadolu.
Në fjalimin e tij në parlament, Scholz mbrojti vendimin e tij për t’i dhënë fund koalicionit me partinë liberale FDP, duke theksuar se zgjedhjet e parakohshme do t’i lejojnë votuesit të përcaktojnë drejtimin e ardhshëm të vendit.
“Sjellja përpara zgjedhjeve federale, ky është qëllimi im. Në këto zgjedhje, qytetarët më pas mund të vendosin kursin politik për vendin tonë, kjo është ajo për të cilën bëhet fjalë”, tha Scholz.
Ai kritikoi ish-partnerin e tij të koalicionit FDP për pengimin e vendimeve vendimtare mbi sfidat ekonomike.
“Politika nuk është lojë. Për t’u bashkuar me një qeveri, duhet një pjekuri e caktuar morale. Kushdo që hyn në një qeveri, mban përgjegjësi për të gjithë vendin. Përgjegjësi që shkon përtej programit të partisë së tyre dhe votuesve të tyre”, tha Scholz, duke shtuar se shpërbërja e koalicionit me FDP-në ishte bërë e pashmangshme duke marrë parasysh ngërçin politik.
Kancelari socialdemokrat humbi votën e besimit në parlament, me 394 vota kundër dhe 207 pro, së bashku me 116 abstenime. Partneri i tij i koalicionit, të Gjelbrit, abstenoi strategjikisht për të siguruar suksesin e manovrës për të shkaktuar zgjedhje të parakohshme.
Një votëbesimi nevojitej për të inicuar zgjedhje të parakohshme sipas kushtetutës së Gjermanisë, e cila lejon zgjedhje të tilla vetëm në rrethana të jashtëzakonshme për të ruajtur stabilitetin politik.
Sipas kushtetutës, kur një shumicë parlamentare heq besimin ndaj kancelarit, presidenti mund të shpërndajë parlamentin me kërkesë të kancelarit, duke çuar në zgjedhje të reja.
Qeveria e koalicionit trepalësh e kancelarit Scholz midis partisë së tij socialdemokrate (SPD), të Gjelbërve dhe Demokratëve të Lirë liberal (FDP) ra muajin e kaluar për shkak të mosmarrëveshjeve intensive në lidhje me politikën ekonomike dhe planet e shpenzimeve qeveritare.
Pas rënies së qeverisë, krerët parlamentar nga SPD-ja, të Gjelbërit dhe opozita kryesore Kristian-Demokrate (CDU/CSU) ranë dakord të propozojnë 23 shkurtin si datën e zgjedhjeve të parakohshme.



