AUV: Janë asgjësuar rreth dy tonë ushqime të pasigurta nga kioskat që i menaxhon një kompani në Shkup
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) në Shkup, ka kryer kontroll tek një operator ushqimor i cili drejton kioskat (tobakot), ku është gjetur një sasi e madhe e ushqimeve të pasigurta me afat të skaduar.
Për shkeljen e konstatuar, kumtoi sot AUV, shërbimet inspektuese të Agjencisë kanë nxjerrë vendim për asgjësimin e 1.920 kilogramë ushqimeve të pasigurta të tërhequra nga disa kioskë me të cilat menaxhon operatori. Për veprën e kryer është shqiptuar dënim në para.
“Gjatë kontrollit të jashtëzakonshëm inspektues në një objekt hotelierik në Manastir, është gjetur ushqim i pasigurt në masë prej 241 kilogramë i cili sipas vendimit të inspektorit është asgjësuar në mënyrë të padëmshme. Për vendosjen e ushqimeve të pasigurta në treg operatori është dënuar me shumë prej 600 euro në kundërvlerë në denarë, ndërsa me 300 euro në kundërvlerë në denarë është dënuar dhe personi përgjegjës në subjektin juridik. Në mënyrë shtesë, ky operator ushqimor është dënuar edhe me gjobë prej 300 euro dhe 150 euro në kundërvlerë me denarë për personin përgjegjës në personin juridik për mos kryerjen e kontrolleve të detyrueshme shëndetësore të punëtorëve”, kumtoi AUV.
Gjatë kontrollit të rregullt në Ohër me 1.400 euro (1.000 euro për personin juridik dhe 400 euro për personin përgjegjës në personin juridik) në kundërvlerë në denarë, është dënuar dhe marketi për vendosje në treg të ushqimeve të pasigurta (produkte delikate dhe mish të ngrirë) të cilët kanë qenë pa deklaratë dhe afat të skaduar. Për shkak të moskryerjes së kontrolleve të detyrueshme shëndetësore të punëtorëve në Ohër, kumtuan nga AUV, është dënuar me para dhe mishtorja.