Bellingam: Jemi Reali, mos dyshoni te ne!
Ai ishte lojtari më i rëndësishëm në pjesën e parë të sezonit të kaluar dhe, për rrjedhojë, në fillim të këtij sezoni kishte nga ata që prisnin të njëjtën gjë.
Megjithatë, ndeshjet po kalonin dhe Xhud Bellingam, i cili filloi të luante në të majtë, pastaj në të djathtë dhe në fund në qendër, nuk ishte i njëjti.
Ançeloti bëri çfarë bëri, vendosi ta kthente pas sulmuesve si maja e një mesfushe në formë rombi. Dhe Bellingam u kthye ai i sezonit të kaluar.
Pasi kishte “agjëruar” për shumë kohë, anglezi në shtatë ndeshjet e fundit ka shënuar gjashtë gola. Seria filloi në Leganes dhe ka vazhduar me golat kundër Getafes, Bilbaos, Gironës dhe Atalanta që e kanë vendosur atë si golashënuesin e tretë më të mirë të skuadrës pas Vinicius dhe Mbape.
Kështu duket se anglezi pak nga pak po rikuperon versionin më të mirë që përputhet në mënyrë perfekte me karakterin e tij fitues në fushë, gjë që po e bën të fitojë dhe një vend kyç në dhomat e zhveshjes në të cilën ka filluar të ketë autoritet.
Ndaj Atalantës ai ka qenë vendimtar, duke shënuar dhe një nga tri golat e fitores së Realit.
“Ka qenë një ndeshje e vështirë. Do të ishte e vështirë për shkak të mënyrës së lojës dhe intensitetit. E kemi parë tashmë në Superkupën e Europës dhe të martën ishte e ngjashme. Ata janë një skuadër mjaft intensive, luajnë një-kundër-një në të gjithë fushën dhe për ne ka qenë një sprovë e mirë që ia kemi dalë me sukses. Jam i bindur se cilësia jonë ka qenë kyçe. Jo më kot jemi Reali, askush nuk mund të dyshojë te kjo skuadër”, tha ai në “Real Madrid TV”.
Lidhur me golin e tij, Bellingam shpjegoi: “Unë përpiqem të shtoj gjithçka që mundem në lojën time. Unë shoh diçka që më pëlqen dhe përpiqem ta bëj. Po fitoj besim te vetja para portës dhe kjo po më ndihmon të shënoj”. Anglezi tregoi se skuadra ishte shumë e qartë se si duhet të luante kundër Atalantës. “Kur e dini se është një ndeshje vendimtare, duhet të jeni gati për një gjë të tillë. Ne u treguam të shkathët në hapësira. Gjithashtu u treguam të zgjuar pasi e tërhoqëm kundërshtarin nga pozicioni i tij. Me Brahimin folëm para golit që ai të futej nga brenda dhe unë të shfrytëzoja hapësirën pas mbrojtësit të krahut. Kjo skemë funksionoi për mrekulli dhe unë arrita të shënoj”, tha ai.