VLEN thotë se Fronti Evropian duhet ta ndërrojë emrin: Po për Rusinë dhe Jo për Amerikën!
Të ashtuquajturit “Front Evropian” tashmë i ka dalë ngjyra dhe është demaskuar deri në palcë. E vërteta e tyre është zbuluar! Që sot, ata duhet të quhen me emrin që meritojnë: Po për Rusinë dhe Jo për Amerikën. Kështu kanë thënë nga koalicioni VLEN, të cilët kanë shtuar se “BDI është bërë sinonim i të keqes jo vetëm për shqiptarët e Maqedonisë, por për të gjithë shqiptarët gjithandej”.
“BDI me veprimet e saj destruktive dhe me keqpërdorimin e pushtetit të ushtruar tashmë 22 vite, ka bërë që edhe partnerët tanë strategjik të humbin besim tek populli shqiptar.
Ali Ahmeti, si dirigjenti i kësaj klike dhe të gjitha të bëmave në kurriz të popullit të vet, ka dalë hapur në mbështetje të hijes së tij, banorit më të ri të listës së zezë amerikane, Artan Grubit.
Sikurse edhe me figura të tjera të kësaj partie, tani me Artan Grubin, BDI vazhdon të na marrë për budallenj, duke minimizuar faktet e rënda që kanë dalë në shesh nga miku i përhershëm i shqiptarëve, SHBA-të. Dje pamë një spektakël të turpshëm ku të gjithë eksponentët e BDI-së, nga Ali Ahmeti deri te çirakët e tij, dolën për të mbrojtur Artan Grubin. Madje guxuan të kundërshtojnë edhe vetë Departamentin Amerikan të Shtetit, duke thënë se Grubi është “i pastër si loti”.
Por, të gjithë e dimë se sa “i pastër” është ai! Dëshmitë janë të qarta: nga ndikimi për lirimin e Sasho Mijallkovit, te futja e bixhozit në çdo shtëpi shqiptare, e deri te përpjekja skandaloze për të kthyer Nikolla Gruevskin nga Budapesti – gjithçka është orkestruar nën komandën e Ali Ahmetit.
E gjithë kjo dëshmon qartë se Artan Grubi nuk është asgjë më shumë se një bedel i Ali Ahmetit.
BDI tashmë është shndërruar në parti e cila funksionoin me kod mafioz, ku çdo anëtar i “familjes” mbrohet me çdo çmim. Ne si Koalicioni VLEN kemi kohë që paralajmërojmë: BDI është e kapur nga struktura kriminale, me Ali Ahmetin në krye dhe hijen e tij, Artan Grubin, që zbaton urdhrat e tij. Pyetja që shtrojmë sot është e qartë: Edhe sa mesazhe të tjera duhet të japë SHBA-ja që kjo parti të kuptojë se ka nevojë urgjente për reforma të thella programore dhe kadrovike? Anëtarët e ndershëm të BDI-së duhet të ngrihen, të vendosin tenda në Reçicë të Vogël dhe të kërkojnë çlirimin e partisë nga hijet dhe bedelët e korruptuar! Vetëm kështu mund të shpëtohet ajo që ka mbetur nga kjo parti.
VLEN do të qëndrojë gjithmonë për shqiptarët dhe do të luftojë për ta çliruar politikën nga korrupsioni dhe mashtrimet!
Shqiptarët meritojnë një zë të fortë dhe të pastër!”, thuhet në reagimin e VLEN-it.