Donald Trump zgjedh kreun e FBI, ia beson postin e rëndësishëm besnikut të tij, Kash Patel

Donald Trump ka zgjedhur Kash Patel si drejtor të FBI-së.
I njohur për besnikërinë e tij të palëkundur ndaj Trump, ai shërbeu në role kyçe gjatë administratës së parë të presidentit, përfshirë mbikëqyrjen e divizionit kundër terrorizmit në Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Më vonë, ai shërbeu edhe si shef i shtabit në Departamentin e Mbrojtjes.
Në një postim në rrjetin Truth Social, presidenti i zgjedhur amerikan u shpreh se, nën drejtimin e Patel, FBI-ja do të çmontonte bandat kriminale të emigrantëve, një temë që ka qenë në fokus të fushatës së tij elektorale.
“Kjo FBI do t’i japë fund epidemisë në rritje të krimit në Amerikë, do të çmontojë bandat kriminale të emigrantëve dhe do të ndalojë plagën e keqe të trafikut të njerëzve dhe drogës përtej kufirit. Kash do të punojë nën Prokurorin tonë të Përgjithshëm të madh, Pam Bondi, për të rikthyer besnikërinë, guximin dhe integritetin në FBI,” tha Trump.
Para posteve të tij në Shtëpinë e Bardhë, Patel punoi në Komitetin e Inteligjencës në Kongres, ku luajti një rol të rëndësishëm në hetimet ndaj ndërhyrjeve të Moskës në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.
Emërimi i tij do të nënkuptonte zëvendësimin e drejtorit aktual të agjencisë, Christopher Wray, i cili nisi një hetim ndaj Trump, veprim që e ka nervozuar presidentin e zgjedhur amerikan. Në vitin 2022, FBI kontrolloi shtëpinë e tij në Florida për dokumente sekrete të mbajtura ilegalisht.
Trump ka sulmuar vazhdimisht FBI-në, përfshirë edhe hetimet ndaj qindra mbështetësve të tij që sulmuan ndërtesën e Kapitolit në SHBA më 6 janar 2021. /vizionplus.tv



