Planet e Elon Musk për jetë në Mars ka të ngjarë të përfundojnë me vdekje masive – shpjegimi shkencor
CEO i SpaceX, Elon Musk, ka premtuar prej kohësh se do ta bëjë njerëzimin ndërplanetar duke e dërguar në Mars.
Me ndihmën e raketës gjigante Starship të kompanisë së tij hapësinore, Musk dëshiron të transportojë një milion njerëz në Planetin e Kuq deri në vitin 2050.
Por planet e tij mund të mos shkojnë siç duhet.
Ndërsa biologia dhe autorja Kelly Weinersmith dhe bashkëshorti i saj Zach Weinersmith, detajojnë në librin e tyre të hulumtuar me kujdes të vitit 2023 “A City on Mars: Can We Settle Space, Should We Settle Space, and Have We Really Thought This Through?”, planeti është një zgjedhje e tmerrshme për vendbanim.
Në fakt, parashikojnë ata, përpjekja mund të shndërrohet me shpejtësi në një fatkeqësi humanitare dhe jashtëzakonisht të shtrenjtë me përmasa epike.
Në një intervistë të re me CNN, dyshja shtjelluan skepticizmin e tyre.
“Në asnjë mënyrë nuk mund të dërgosh deri në një milion njerëz në Mars pa ndodhur diçka katastrofike”, tha Weinersmith.
Megjithatë, në afat të shkurtër, Planeti i Kuq mund të jetë një vend i mrekullueshëm për “shumë kërkime”, sipas Kelly.
“Ndoshta gjatë jetës sonë, ne do të shohim njerëz të zbarkojnë në Mars, të bëjnë disa eksplorime dhe të kthehen në shtëpi, kjo mund të ndodhë, por unë nuk mendoj se do të kemi fëmijë në Mars”, tha ajo.
Riprodhimi në veçanti mund të jetë një problem i madh për shkak të sasisë së madhe të ekspozimit të rrezatimit hapësinor të planetit, shkruan yahoonews, përcjell Telegrafi.
“Ne thjesht ishim të befasuar nga sa shumë probleme mendonim se kishim një zgjidhje”, tha Kelly.
“Por rezulton se ne kemi shumë pak të dhëna relevante për mënyrën se si do të funksionojnë të rriturit, e lëre më se si do të funksiononte lindja e foshnjave”, vazhdoi ajo.
Shqetësimet e autorëve u bëjnë jehonë nga afër ekspertëve të tjerë që kanë kritikuar planet e Musk për kolonizimin e Marsit.
Përtej çështjeve politike, teknologjike dhe etike, ajo mund të përfundojë të jetë tepër e shtrenjtë, madje edhe për njeriun më të pasur në botë.
Pastaj janë kërcënimet ekzistenciale me të cilat po përballemi përsëri në Tokë, si një krizë mjedisore që po përkeqësohet në mënyrë aktive.
Ndryshe, gjatë një ngjarjeje në mars, ish-presidenti amerikan Barack Obama kritikoi planet e “manjatëve të Silicon Valley, shumë prej të cilëve po ndërtojnë anije kozmike” për t’i dërguar njerëzit në Mars.
“Por kur dëgjoj disa nga njerëzit të flasin për planin për të kolonizuar Marsin, sepse mjedisi i Tokës mund të degradohet aq shumë sa të bëhet i pajetueshëm, i shikoj si, për çfarë po flisni?”, tha Obama.
“Edhe pas një lufte bërthamore, Toka do të ishte më e jetueshme se Marsi, edhe nëse nuk do të bënim asgjë për ndryshimin e klimës ajo do të kishte akoma oksigjen – me sa mund të themi, Marsi nuk ka”, shtoi ai.
Me pak fjalë, a është vërtet Marsi vendi më i mirë për të ndërtuar shtëpinë tonë të ardhshme larg Tokës?