Nga zgjedhjet tek zjarret, flakët shkatërrojnë dhjetëra banesa në Kaliforni
Vetëm një ditë pas hapjes së qendrave të votimit për zgjedhjen e presidentit të ri të SHBA-së, zjarre të fuqishme goditën periferitë e Los Angelesit.
Erërat e forta të regjistruara në këtë zonë gjatë javës nxitën shpërthimin e flakëve në një mal pranë Kamarillos, të cilat më pas u përhapën me shpejtësi në një sipërfaqe prej mbi 8.000 hektarësh. Mijëra persona në zonat ku kanë shpërthyer zjarret janë detyruar që të evakuohen, disa madje kanë thënë se kanë pasur vetëm disa minuta kohë që të merrnin gjërat më esenciale, pasi zjarri me shpejtësi arriti pranë shtëpive të tyre.
Pas inspektimeve fillestare, autoritetet pohuan se të paktën 132 shtëpi janë shkatërruar dhe 88 të tjera janë dëmtuar. Zjarri shpërtheu mëngjesin e së mërkurës dhe u përhap me shpejtësi, pasi erërat arritën deri në 130 kilometra në orë. Por së fundi shpejtësi e erës ka rënë dhe meteorologët thanë se nuk presin që të ketë erëra të fuqishme, të paktën për disa ditë, një lajm i mirë ky për zjarrfikësit, të cilët po punonin pa ndalë për të shuar vatrat e zjarrit.
Megjithatë, deri tani vetëm 7 për qind e zjarreve është vënë nën kontroll. Më shumë se 2.500 pjesëtarë të ekipeve të zjarrfikësve janë angazhuar në luftën ndaj zjarreve, si dhe një sërë avionësh cisternë.