Kapitulli “Statistikat” ka pak lëvizje, BE kërkoi sërish pavarësinë e Revizionit
Prokurimet publike dhe kontrolli financiar, respektivisht kapitujt 5 dhe 32, kanë bërë përparim të kufizuar gjatë periudhës raportuese, vlerëson Komisioni Evropian në Raportin e fundit për RMV-në. Kërkohet që të rritet konkurrenca gjatë prokurimeve publike dhe të përdoret kriteri për tenderë ekonomikisht më të favorshëm. Bashkimi Evropian është në dijeni të korrupsionit gjatë prokurimeve dhe kërkon nga autoritetet të zbatojmë masa më efektive. Edhe këtë vit, u kërkua pavarësia e Entit Shtetëror për Revizion (ESHR) e cila duhet garantuar me Kushtetutë. Nga ana tjetër, kapitulli 18, “Statistikat”, ka shënuar njëfarë progresi, por përsëri ka rekomandime nga viti i kaluar, raporton Portalb.mk.
RMV-ja mesatarisht e përgatitur për prokurimet publike
Raporti i progresit nënvizon se Maqedonia e Veriut është mesatarisht e përgatitur në fushën e prokurimit publik. Është bërë përparim i kufizuar që nga vlerësimi i fundit.
“Kapacitetet e institucioneve kryesore, autoriteteve kontraktore dhe operatorëve ekonomikë duhet të rriten më tej përmes trajnimeve të vazhdueshme. Konkurrenca në prokurimin publik dhe përdorimi i kritereve të tenderit ekonomikisht më të favorshëm (TKF) duhet të rritet. Autoritetet kombëtare duhet të zbatojnë masa më efektive kundër korrupsionit në ciklin e prokurimit”, thuhet në raport.
Rekomandimet e Komisionit nga viti i kaluar janë zbatuar vetëm pjesërisht dhe për këtë arsye mbeten të vlefshme. Në vitin e ardhshëm, Maqedonia e Veriut duhet në veçanti:
- Të miratojë ligj për partneritetin publik-privat (PPP) dhe Ligj për koncesionet, për të harmonizuar më tej kuadrin ligjor në këto fusha me acquisin e BE-së;
- Të rrisë përdorimin e kritereve të TKF për dhënien e kontratave dhe përmirësimi i monitorimit të procedurave të prokurimit publik nëpërmjet raportimit dhe ndjekjes së parregullsive, rasteve të konfliktit të interesit dhe praktikave mashtruese;
- Të përmirësojë koordinimin ndërmjet aktorëve kryesorë për të luftuar korrupsionin dhe forcimi i kapaciteteve të tyre për të zbatuar parimet e transparencës, konkurrencës së lirë, trajtimit të barabartë dhe mosdiskriminimit.
Vendi qëndron mirë me statistikat, por duhet ende punë
Vendi ndodhet ndërmjet një niveli të moderuar dhe të mirë përgatitjeje në fushën e statistikave. Është bërë njëfarë progresi, kryesisht në fushën e infrastrukturës statistikore, statistikave të llogarive të biznesit dhe tregtisë dhe financiare.
Megjithatë, rekomandimet e Komisionit nga viti i kaluarnuk janë zbatuar plotësisht dhe mbeten kryesisht të vlefshme.
Në vitin e ardhshëm, Maqedonia e Veriut duhet në veçanti:
- Të kryej regjistrimin në bujqësi;
- Të sigurojë personel adekuat dhe burimeve të mjaftueshme financiare për Entin Shtetëror të Statistikave;
- Të vazhdojë të përmirësojë statistikat makroekonomike, veçanërisht duke vendosur transparencën, duke rritur qëndrueshmërinë, afatin kohor dhe mbulimin e procedurës së deficitit të tepruar dhe statistikave të financave të qeverisë dhe duke përafruar më tej llogaritë financiare dhe llogaritë kombëtare tremujore me Sistemin Evropian të Llogarive 2010 (ESA 2010).
-
Progres i kufizuar në kontrollin financiar
Vendi është mesatarisht i përgatitur në fushën e kontrollit financiar dhe ka bërë progres të kufizuar. Kontrollet e brendshme financiare publike (KBFP) dhe reformat e llogaridhënies menaxheriale janë vonuar për shkak të vonesave thelbësore në miratimin e ligjit të KBFP, i cili është ende në procedurë parlamentare pas më shumë se 3 vitesh, nënvizon raporti i KE-së.
“Kapaciteti institucional i inspektimit financiar duhet të forcohet. Pavarësia e Entit Shtetëror për Revizion (ESHR) ende nuk është e garantuar me Kushtetutë dhe ligji për revizionin shtetëror është në pritje të miratimit nga qeveria. Efikasiteti i mbikëqyrjes parlamentare të fondeve publike dhe ndjekja e rekomandimeve të auditimit duhet të përmirësohet”,thuhet në raport.
Rekomandimet e Komisionit nga viti i kaluar janë zbatuar vetëm pjesërisht dhe për këtë arsye mbeten të vlefshme. Në vitin e ardhshëm, Maqedonia e Veriut duhet në veçanti:
- Të miratojë dhe fillojë zbatimin e ligjit të ri për KBFP me qëllim të forcimit të kapaciteteve institucionale të njësive të auditimit të brendshëm, llogaridhënies menaxheriale dhe menaxhimit të shëndoshë financiar;
- Të miratojë ligjin e revizionit shtetëror për të forcuar pavarësinë e ESHR-së, të rrisë bashkëpunimin ndërmjet ESHR-së dhe Parlamentit, të përmirsojë shqyrtimin parlamentar mbi raportet individuale të auditimit dhe për ndjekjen e rekomandimeve të ESHR-së;
- Të sigurojë funksionimin efikas të Rrjetit të Shërbimit të Koordinimit kundër Mashtrimit (AFCOS) dhe të përmirësojë parandalimin, menaxhimin dhe raportimin e parregullsive që prekin fondet e BE-së.
Mënyra e prokurimeve publike në Maqedoninë e Veriut është kritikuar vazhdimisht. Krahas këtij raporti, ky fenomen u kritikua edhe Raporti i skriningut, Raporti i progresit të viti 2023 dhe Qendra për Komunikime Civile, dokumentuan se në prokurimet publike nuk ka transparencë dhe madje ka edhe keqpërdorime dhe korrupsion. Por, Qeveria (e kaluar) thoshte se niveli i transparencës së furnizimeve publike në Republikën e Maqedonisë së Veriut është i siguruar në përputhje me praktikat e mira ndërkombëtare dhe, madje sipas tyre, dukshëm i tejkalon kushtet e parapara me Direktivat për furnizim publik.
Ndërkohë për Statistikat, edhe në raportin e vitit 2023, u theksua se Enti Shtetëror i Statistikave përballet me mungesë të kuadrit adekuat dhe mungesë të burimeve të mjaftueshme financiare, dhe kërkohej që këtë çështje ta zgjidhë në mënyrë urgjente. Por mesa duket vendit nuk i “ngutet puna”, pasi kërkesë e njëjtë urgjente, u bë edhe në vitin 2022, por institucionet nuk kanë gjetur zgjidhje.
Kujtojmë se Raporti i KE-së për progresin në reforma të vendeve kandidate për anëtarësim në BE, u publikua më 30 tetor. Në fushën e luftimit dhe parandalimit të luftës kundër korrupsionit u tha se Maqedonia e Veriut nuk ka bërë përparim dhe se korrupsioni mbetet i përhapur në shumë fusha dhe është një çështje shqetësuese serioze. Korniza institucionale për luftën kundër korrupsionit është e vendosur dhe është e kënaqshme për sa i përket masave parandaluese, megjithatë, nevojitet përmirësim në zbatimin e ligjit.