I arrestuari afër tubimit të Trumpit përballet me akuzat për armë
Një burrë i arrestuar në pikën e kontrollit të sigurisë afër tubimit të kandidatit republikan për president të SHBA-së, Donald Trump të shtunën, përballet me akuzat e posedimit të një arme të mbushur, të disa pasaportave dhe një targe false, ka thënë sherifi lokal.
Sherifi i Riverside County, Chad Bianco ka thënë se besonte se departamenti i tij ka ndaluar një atentat, megjithëse e ka pranuar se mund vetëm të spekulohet. I dyshuari është liruar me kusht të shtunën. Një zyrtar federal ka thënë se ishte duke u zhvilluar një hetim federal.
Burri 49-vjeçar, i identifikuar si Vem Miller nga Las Vegasi, është ndaluar në një SUV të zezë nga sherifët dhe është arrestuar pa incidente, sipas zyrës së sherifit, raporton agjencia Reuters.
Trumpi nuk kishte dalë në skenë akoma. Të dhënat e burgut tregojnë se Miller është liruar me kushtin prej 5000 dollarësh, pasi është akuzuar për posedim të një arme të mbushur dhe një karikatori me kapacitet të lartë, të dyja kundërvajtje.
Sipas Zyrës së Prokurorit të SHBA-së në Los Angeles, Trumpi nuk është në rrezik. Trumpi për pak i ka shpëtuar një përpjekjeje për atentat në korrik, kur plumbi i sulmuesit i ka goditur veshin gjatë tubimit në Butler, Pennsylvania.