Të paktën 38 të vdekur nga përmbytjet në kryeqytetin e Nepalit
Përmbytjet e shkaktuara nga reshjet e vazhdueshme kanë lënë të vdekur të paktën 32 persona në kryeqytetin e Nepalit dhe 29 të tjerë janë të zhdukur, njoftoi policia të shtunën.
Reshjet kanë rënë që nga mbrëmja e së premtes dhe pritet të vazhdojnë edhe gjatë fundjavës. Sipas zëdhënësit të policisë së Nepalit, Bishwo Adhikari, shtatëmbëdhjetë persona pësuan lëndime.
Ai tha se i gjithë personeli i policisë në të gjithë vendin është urdhëruar të ndihmojë në përpjekjet e shpëtimit, raporton AP.
Qeveria kishte lëshuar paralajmërime për përmbytje në të gjithë vendin duke paralajmëruar për reshje masive.
Autobusët dhe makinat u ndaluan të udhëtojnë natën në autostrada. Forcat e sigurisë u urdhëruan të jenë në gatishmëri të lartë.
Ministri i Brendshëm, Ramesh Lekhak, u tha gazetarëve se ka raporte për dëme edhe në pjesë të tjera të vendit dhe zyrtarët janë ende duke mbledhur informacione.
“Prioriteti i qeverisë tani është të shpëtojë njerëzit dhe të ndihmojë ata që janë prekur”, tha Lekhak.
Pjesa më e madhe e Katmandu ishte pa energji dhe internet për një periudhë kohe.
Ka pasur raportime për rrëshqitje dheu dhe përmbytje në pjesë të tjera të vendit.
Sezoni i shirave që sjell reshje të mëdha filloi në qershor dhe zakonisht përfundon në mes të shtatorit.