Taravari: Gjuha dhe Balancuesi aktualizohen qëllimisht, BDI defokuson
Arben Taravari nga VLEN, si ministër i Shëndetësisë po merr pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të 79-të të KB-së në Nju Jork. Në intervistë për MIA, Taravari në lidhje me Balancuesin dhe Ligjin për Gjuhët, thotë se ato janë në Gjykatën Kushtetuese më shumë se pesë vjet dhe se nuk beson se pikërisht tani Gjykata duhet t’i aktualizojë këto tema.
“Vetëm një njeri me mendje të vogël do të besonte se pikërisht tani, në njëqind ditët e para, Gjykata Kushtetuese duhet të aktualizojë këto dy tema. Imagjinoni, pesë vjet janë kërkesat për balancuesin dhe përdorimin e gjuhës shqipe, dhe pikërisht tani po aktualizohet dhe kryetari i Gjykatës Kushtetuese po e vendos në rend dite për të treguar se duhet diçka e re. Ne në përgjithësi jemi të njëanshëm dhe kemi thënë se duhet një ligj për përfaqësim të drejtë, jo vetëm të bashkësive etnike, por përfaqësim të drejtë të të gjitha kategorive që jetojnë në shtet, ndaj do të shohim me një ligj që ta mbulojmë këtë që po lëviz balancuesin”, thotë Taravari.
Ai tregon se të gjitha partitë politike janë të vetëdijshme për keqpërdorimin e Balancuesit dhe se shumica qeveritare do të gjejë një zgjidhje që pjesëtarët e të gjitha komuniteteve të mund të përfaqësohen në institucione.
-Nuk mundet, theksoi Taravari, të realizohen të gjitha premtimet parazgjedhore vetëm për njëqind ditë. Thotë se ka defokusime të vazhdueshme nga ajo që është dorëzuar në këto njëqind ditë veçanërisht në bllokun shqiptar. Sipas tij, janë bërë punë të mëdha.
“Megjithatë, BDI-ja disi arrinte me të gjitha resurset që ka, si financiare ashtu edhe njerëzore, të na defokusojë plotësisht nga ajo që është bërë dhe të merret me tema krejtësisht margjinale, aq të parëndësishme për njerëzit. Sa të bëjmë diçka, e kam fjalën për Qeverinë, të nesërmen menjëherë keni një lloj defokusi që jep BDI. Shpresoj që me kalimin e kohës të insistojmë që t’i tregojmë sa më shumë opinionit dhe qytetarëve atë që kemi bërë në këto njëqind ditët e para dhe më tej”, tha Taravari.