Durmishi ministrave të rajonit: Veprimi i koordinuar politik mund të përmirësojë peizazhin ekonomik të Ballkanit Perëndimor
Ministri i Ekonomisë dhe Punës Besar Durmishi mori pjesë sot në konferencën e ministrave të ekonomisë në kuadër të Procesit të Berlinit të mbajtur në Berlin, Republika Federale e Gjermanisë.
Ministri Durmishi me homologët e tij nga vendet e Ballkanit Perëndimor në forumin e biznesit diskutuan në temën “10 vjet Proces i Berlinit – Ballkani Perëndimor si zonë ekonomike në rrugën e BE-së”.
Duke shënuar 10 vjetorin e Procesit të Berlinit, në konferencë u theksua se rajoni i Ballkanit Perëndimor po jeton një moment historik për sa i përket perspektivës së tij evropiane, ndërsa është pikërisht kjo iniciativë ajo që mund të arrijë sinergji të përpjekjeve individuale të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor si mekanizëm për përgatitjen për aderim drejt BE-së.
Gjatë sesionit kushtuar Tregut të përbashkët rajonal në drejtim të 10 viteve të Procesit të Berlinit, ministri Durmishi theksoi se janë tre çështje kritike në marrëdhëniet ekonomike midis Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian që kërkojnë vëmendje politike, e ky është zhvillimi i infrastrukturës, barrierat tregtare dhe integrimi ekonomik, sundimi i së drejtës dhe korrupsioni.
“Zgjidhja e këtyre çështjeve përmes veprimit të koordinuar politik mund të përmirësojë ndjeshëm peizazhin ekonomik të Ballkanit Perëndimor dhe të përshpejtojë procesin e tyre të integrimit në BE”, theksoi ministri Durmishi.
Ministri foli edhe për perspektivat e rritjes ekonomike të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe theksoi se rajoni ka predispozita për rritje më të madhe ekonomike, por edhe shumë sfida.
“Rajoni ka popullsi të re dhe burime të bollshme natyrore, të cilat ofrojnë mundësi në sektorë të tillë si bujqësia, turizmi dhe burime të ripërtërishme të energjisë. Përparimi drejt anëtarësimit në BE mund të përmirësojë stabilitetin ekonomik dhe të tërheqë investime, meqë e harmonizon rajonin me tregjet dhe standardet e BE-së. Në mënyrë që të tërheqim më shumë investime, duhet të forcojmë sundimin e së drejtës. Duhet të përmirësojmë infrastrukturën; duhet të përmirësojmë arsimin dhe zhvillimin e shkathtësive, të promovojmë stimulime specifike për sektorin”, tha Durmishi.
Në Konferencën ministrore përveç ministrit Durmishi morën pjesë edhe ministrat e Ekonomisë së Shqipërisë, Bosnjës e Hercegovinës, Kosovës, Malit të Zi, dhe Serbisë.
Procesi i Berlinit është vendosur në vitin 2014 si platformë për bashkëpunim të nivelit të lartë midis zyrtarëve të lartë të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe homologëve të tyre në vendet nikoqire të Procesit të Berlinit.
Procesi përfshin edhe institucionet e BE-së, institucionet financiare ndërkombëtare dhe shoqërinë civile në rajon, Zyrën Rajonale të Bashkëpunimit Rinor RYCO dhe bizneset.