Mexhiti takon ambasadorin e ri evropian, integrimi prioritet i Qeverisë
Ishte kënaqësi e veçantë të takoja sot shefin e ri të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Maqedoninë e Veriut, Michalis Rokas, të cilit i urova mirëseardhje të përzemërt, dhe një mandat të suksesshëm në vendin tonë, ka shkruar zëvendës kryeministri Izet Mexhiti në profilin e tij në Fejsuk, pas takimit me Rokas.
“Ky takim na ofroi një mundësi të shkëlqyer për të thelluar më tej marrëdhëniet midis Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian. Nënvizova se integrimi i vendit tonë në familjen evropiane, mbetet prioriteti ynë strategjik dhe më i rëndësishmi.
Takime të tilla janë thelbësore për forcimin e bashkëpunimit tonë dhe për nxitjen e reformave që na ndihmojnë të përmbushim standardet dhe pritshmëritë e BE-së. Gjatë bisedës sonë, diskutuam gjerësisht çështje që prekin zhvillimin e vendit, me fokus të veçantë në situatën politike dhe ekonomike, në vend.
Një tjetër pikë kyçe e diskutimeve tona ishte përqendrimi te politikat e mjedisit jetësor, me theks të veçantë tek nismat për mbrojtjen e mjedisit dhe përballjen me sfidat mjedisore, si dhe roli i rëndësishëm i BE-së në përmirësimin e këtyre proceseve.
Diskutuam gjithashtu mundësitë për mbështetje financiare dhe teknike nga BE-ja për projektet tona zhvillimore dhe reformat e nevojshme, me fokus në projekte konkrete që lidhen drejtpërdrejt me Ministrinë e Mjedisit Jetësor. Avancimi i reformave dhe zbatimi i legjislacionit për mjedisin, në përputhje me standardet evropiane, u theksuan si prioritet absolut!”, ka shkruar Mexhiti.