Taravari: BDI në hall të madh, është kthyer qartë në armik të popullit të vet

Që politika, sidomos në vendet e varfra dhe të pazhvilluara si ky i yni, është problematike, kjo është gati teori, por që parti të caktuara të kthehen në armike funksionale të shoqërisë ky është fenomen!. Kështu vlerëson ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari për akuzat e shpeshta të BDI-së në adresë të koalicionit shqiptar në pushtet.
“Duke abuzuar me gjysëm të vërteta, duke nxjerrë gjoja dëshmitarë të përvuajtur që paskan jetuar si mos më mirë në kohën e pashallëkut 22 vjeçar, duke gënjyer dhe abuzuar me çdo mjet dhe me çdo mënyrë, BDI-ja është kthyer qartë në armike të popullit të vet por edhe më qartë BDI-ja është në hall të madh! Kinse të tmerruar që papritur ky vend nga shkëlqimi dhe mirëqënia e madhe kaloi brenda natës në skamje, varfëri dhe hall, propagandojnë se me ardhjen e tyre do ndriçojë prapë Dielli!”, shkruan Taravari në Facebook.
Ne që sapo kemi ardhur në detyrat tona, vazhdon aravari, po akuzohemi se nuk po rregullojmë dot gjë! Ai vlerëson se BDI-ja sidomos nxit propaganda absurde, të cilat pretendojnë që me një shkop magjik mund të regullohet një shtet që është shkatërruar për 22 vjet!
“BDI-ja, veçanërisht ish-funksionarët e saj kanë një problem serioz. Ata e dinë sa shumë kanë abuzuar dhe ata e dinë se Drejtësia i pret. Ata janë si ai njeriu që nuk di not dhe papritur ka rënë në det të thellë”, vazhdon në shkrimine tij Taravari.
Sipas tij, ky shtet ka shumë punë, ndërsa shprehet se janë të vendosur që të kryejnë detyrat me vetmohim por gjithashtu thotë se tani është koha t’i tregojnë BDI-së dhe të gjithë atyre që e kanë masakruar këtë shtet, se është koha të mbajnë Përgjegjësi!