Fëmijët “morën në duar” Kuvendin

Në vend të deputetëve sot në Parlament u ulën fëmijët Ata folën, dhe deputetët dëgjuan. Me rastin e Ditës Botërore të Fëmijëve, 20 Nëntorit, përmes shembujve konkretë dhe situatave faktike, më të rinjtë nga foltorja e Kuvendit shprehën problemet më të mëdha në arsimin në Maqedoni.
Me qëndrime të vendosura dhe ambicioze, ata kërkuan nga autoritetet që të investojnë më shumë para në infrastrukturë, në trajnimin e mësuesve dhe mjetet moderne mësimore. Të rinjtë kërkuan gjithashtu një psikolog familjar dhe ndarjen e një përqindjeje më të madhe të buxhetit për projekte për të rinjtë, në nivel lokal dhe kombëtar.
Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi shprehu keqardhjen që si të rritur nuk arritën të ndërtonin një botë më të sigurt për të gjithë fëmijët. Ai u premtoi të rinjve se institucionet do t’i dëgjojnë me vëmendje kërkesat e tyre dhe më pas do të punojnë për zgjidhjen e disa problemeve.
Dhe derisa institucionet kompetente premtojnë se do të bëjnë përpjekje për të siguruar një proces cilësor arsimor në Maqedoni, bullizmi është ende dominant tek fëmijët në shkolla. Hulumtimi “Të drejtat e fëmijëve në shkollat tona” vërteton se dhuna mbretëron në shkollat fillore. Shqetësues është fakti se nga gjithsej 648 nxënës të përfshirë në hulumtim, viktima të dhunës kanë qenë 298 fëmijë ose 46% e të anketuarve.
Hulumtimi tregoi gjithashtu se shumica e studentëve mund të njohin ngacmimet në internet, por disa nuk ishin në gjendje ta bënin këtë.Alfax.



